Haziri: Gjilanin do ta shndërrojmë nga një qytet i pastër, në një qytet të luleve

Gjilan – Në Komunën e Gjilanit sot në orën 10:00 ka nisur aksioni “Ta pastrojmë Kosovën”, të cilit aksion i është bashkuar edhe kryetari i Komunës Lutfi Haziri me drejtorët e drejtorive komunale, bashkëpunëtor të tjerë, Ndërmarrjet Komunale “Eko – higjiena” dhe të tjerat, Bankat komerciale, pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Policia e Kosovës, Këshilli për Veprim Rinor Lokal, shoqata e peshkatarëve, nxënës të shkollave fillore dhe të mesme, studentë, qytetarë dhe OJQ të ndryshme.
Me këtë rast kryetari Haziri ka thënë se bashkimi i të gjithë këtyre njerëzve nga sektorë të ndryshëm edhe një simbolik me shumë domethënie për Komunën e Gjilanit.
“Sot jemi të përkushtuar të bëjmë grumbullimin e mbeturinave të vogla, ndërsa mbeturinat e mëdha të egra në vendbanime më të mëdha do të ndërmarrim veprime konkrete përmes “Eko-higjienës”, për eliminimin e tyre. Do të vendosim një rregull të veçantë që të gjitha llojet e mbeturinave të shkojnë në deponinë rajonale, e jo rrugëve dhe arave sikur që po ndodh prej kohësh. Kjo është një ditë simbolike e pastërtisë, porse pastërtia duhet të bëhet për çdo ditë, sepse vetëm ashtu e mbajmë qytetin tonë të pastër. Gjilanin po punojmë që ta shndërrojmë nga një qytet i pastërtisë në një qytet të luleve. Jemi ndër komunat më të pastra në Kosovë por kemi ende shumë punë për të bërë në këtë drejtim”, ka thënë ndër të tjerash kryetari Haziri.
Koordinator i këtij aktiviteti për Komunën e Gjilanit ishte Naim Shaqiri i cili ka thënë se ky aktivitet sot është simbolik që të ngritët edhe më shumë vetëdija qytetare për ta mbajmë të pastër ambientin ku jetojmë.
Ai ka falënderuar të gjithë përfaqësuesit e institucioneve lokale dhe të gjithë atyre që iu kanë bashkangjitur këtij aktiviteti për të krijuar një ambient të pastër. Gjithashtu ai ka njoftuar se ky aktivitet është i organizuar në të gjitha lokacionet ku është i nevojshëm pastrimi i ambientit. Fokus sipas tij është largimi i deponive të egra në qytet dhe fshatra./rajonipress/