Haziri: Gjilani, një nga qytetet me transformimet më të mëdha infrastrukturore në Kosovë

Gjilan – Një transformim kaq i madh i një qyteti i cili ka vetëm 5 milion €, të hyra vetanake, që realizohen në masën 95%, tregon se nuk është vetëm paraja ajo që ndryshon gjithçka, por ndryshimet më të mëdha i bënë vullneti për punë, besimi në vetvete, kreativiteti, angazhimi, dëshira e madhe, përdorimi i resurseve humane, por mbi të gjitha dashuria për vendin, thotë Lutfi Haziri, kryetar i Gjilanit.
Duke i cilësuar pesë vite si shumë të suksesshme të qeverisjes së tij në krye të Gjilanit, Haziri renditi një sërë investimesh dhe projektesh të cilat prekin në mënyrë kapilare çdo lagje dhe çdo pjesë të qytetit.
Në një mini intervistë Haziri, tha se, njëri nga projektet më të rëndësishme i cili përfshinë tërë Anamoravën, është padyshim autostrada Prishtinë – Gjilan – Dheu i Bardhë, në të cilën është duke u punuar me një intensitet të lartë.
Ai po ashtu përmendi edhe rrugën regjionale Ferizaj – Viti – Gjilan – Kamenicë, e cila do të filloj së shpejti, dhe rrugën regjionale Prishtinë – Gjilan, një rrugë nacionale nga e cila fillon e gjithë zona të marrë jetë dhe të ketë një damar të ri ekonomik, për krejt këtë pjesë të Kosovës!
Gjithashtu me rëndësi të veçantë ishte projekti 30 milionësh që do të filloj së shpejti në ndërtimin e kolektorit dhe impiantit për trajtimin e ujërave të zeza, projekt ky që do të financohet nga Banka Europiane për Zhvillim e Rindërtim.
“Se qyteti i Gjilanit është qendra kryesore e Anamoravës na e dëshmon edhe një investim që do të ndodhë për një zonë të përbashkët ekonomike, në të cilën do të përfshihen 17 komuna, (edhe Kumanova) që do të jetë e ndërtuar si tip i zonës së lirë ekonomike, apo mikroregjioni evropian” shprehet Haziri.
Një punë e mirë sipas Hazirit është bërë edhe në drejtim të rrjetit të ujësjellës kanalizimeve, i cili ishte amortizuar ndër vite si pasojë e mosndërhyrjes ose nuk ekzistonte fare në shumë lagjet të reja.
“E bukura e Gjilanit është se ka vend për të gjithë”, shprehet Luta, duke shtuar se për të përballuar këtë rritje dhe zgjerim, Gjilani ka nevojë për më shumë rrugë, kopshte, shkolla, ambulanta, çerdhe dhe ujësjellës.
Haziri theksoi se një shumë e konsiderueshme e parave nga të hyrat vetanake shkon për arsim (investime kadrovike, infrastrukturore, bursa të studentëve të dalluar etj), shëndetësi, kulturë dhe sport.
Haziri nuk ka harruar t’i falënderoi USAID-in, amerikan, GIZ-in, gjerman, KE, Qeverinë zvicerane, TIKA-n turke, si partnere strategjike në programin pesë vjeçar për transparencë, llogaridhënie efikasitet, dhe shërbime të qytetarëve.
Ai theksoi se Gjilani sot është një qytet që ka shumë sfida, në të cilin njerëzit nuk duan të jetojnë vetëm me bukë, por duan të jetojnë edhe me këngë, art, kulturë, muzikë, libra dhe me njohuri digjitale.
Haziri shtoi se Gjilani mund të mësojë nga më të mirët për t’i kapërcyer më shpejt etapat./intervistoi gani sadiku/rajonipress/