Uji Dea

Haziri: Gjilani ka nevojë për miq e partnerë

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Ne po punojmë me qeverinë austriake në një program për trajtimin e tërësishëm të ujërave të zeza, që ka vlerën 7 milionë euro, ku përfshihet Mirusha, Stanishorka dhe Baja”, ka thënë Haziri, duke shtuar se ky problem zgjidhet përfundimisht me ndërtimin e një kolektori.

Kuvendi Komunal i Gjilanit ka mbajtur të enjten seancën e radhës, nën drejtimin e kryesueses Valentina Bunjaku-Rexhepi, ku kryetari i Komunës, Lutfi Haziri ka paraqitur raportin 6-mujor, në të cilin pasqyrohen të gjitha aktivitetet, sukseset dhe sfidat e kësaj periudhe. (shih: Haziri: Shumë shpejt do të nisin punimet për rregullimin e Varrezave të Dëshmorëve).

Ndërkaq, duke iu përgjigjur pyetjeve dhe interesimeve të këshilltarëve komunalë, Sahit Abazi (PDK), Fehmi Sylejmani (VV), Riad Rashiti (PDK), Bujar Nevzati (PDK), Nevzad Isufi (VV) Krenare Latifi (VV), Leonora Bunjaku (PDK), Izmi Zeka (PDK) dhe të tjerë, rreth vizitave të tij jashtë, dezinsektimit, projektit të shkollave të mesme, lumin Mirusha, riparimin e rrugëve dhe të tjera, Haziri ka thënë se 17 projekte nga qeverisja e kaluar janë gjetur të papërfunduara, përfshirë edhe lumin Mirusha dhe Kodrën e Dëshmorëve.

“Mirusha është projekt i qeverisë qendrore, që ne e kemi trashëguar të lënë në gjysmë dhe tani kemi nënshkruar marrëveshje me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor për ta marrë Komuna udhëheqjen e këtij projekti.

“Ne po punojmë me qeverinë austriake në një program për trajtimin e tërësishëm të ujërave të zeza, që ka vlerën 7 milionë euro, ku përfshihet Mirusha, Stanishorka dhe Baja”, ka thënë Haziri, duke shtuar se ky problem zgjidhet përfundimisht me ndërtimin e një kolektori.

Sa i përket dezinsektimit, Haziri ka thënë se deri tani janë kryer dy faza dhe ka mbetur edhe faza e tretë, e cila do të monitorohet shumë rreptë nga komisioni.
Kompleksi i shkollave të mesme është në proces të mbylljes dhe shumë shpejt do të hyjmë në procesin e kontraktimit dhe fillimit të realizmit të këtij projekti, ku është bërë vetëm një ndërhyrje te rruga që kalon përmes kësaj qendre.

Kurse vizitat në SHBA dhe shtetet tjera, kryetari Haziri i ka vlerësuar të nevojshme për komunën e Gjilanit, duke thënë se Gjilani ka nevojë për miq dhe për partnerë.
Si rezultat i këtij partneriteti është edhe projekti për ndërtimin e çerdhes në lagjen “Dardania”, për të cilin USAID-i ka ndarë 200 mijë dollarë dhe nevojitet një participim edhe prej Komunës.

Te partneriteti publiko-privat e kemi bërë një prerje, për të bërë një vlerësim të këtij procesi, sepse komunat nuk mund të hyjnë në partneritet për banim, siç ka ndodhur më herët, ka thënë kryetari Haziri, duke nënvizuar se te rasti i kompanisë “Ecohigjiena” po bëhet një prerje e obligimeve.

Kuvendi miratoi edhe raportin financiar janar-qershor 2015, të cilin e paraqiti Ilmi Limoni, drejtor financiar. Zijadin Maliqi (LDK) tha se të hyrat janë pak a shumë të njëjta me ato të periudhës së njëjtë të vitit të kaluar, ndërsa te shpenzimet vërehet një tendencë e uljes te mallrat dhe shërbimet, kurse Riad Rashiti (PDK) tha se ka një rënie tek të hyrat, derisa shpenzimet janë të njëjta me vitet e kaluara. Krenare Latifi (VV) ka thënë se te mallrat dhe shërbimet ka rritje të shpenzimeve.

UBT

Sa u përket shpenzimeve të faturuar në emër te zyrës së kryetarit, Haziri ka sqaruar se bëhet fjalë për trajnime të 17 zyrtarëve komunalë dhe nuk janë shpenzime që i ka krijuar ai personalisht.

Në këtë seancë, Kuvend Komunali ka miratuar vendimin për emërtimin e QKMF-së me emrin e mjekut Nagip Rexhepi, ku opozita (PDK) ka abstenuar, duke mos u pajtuar me procedurat e ndjekura, që në të vërtetë ishte një iniciativë qytetare.

Kuvendi miratoi edhe vendimin për participim në ndërtimin e çerdhes në lagjen “Dardania”, pastaj shfuqizimin e vendimit 01.Nr.16-24249 dhe vendimit 01.Nr.16-24255 të datës 15.03.2013, vendimin për emërimin e Komisionit për përcaktimin e lokacioneve dhe hapësirave publike për vendosjen e përmendoreve, shtatoreve, busteve dhe simboleve, brenda territorit të Komunës së Gjilanit si dhe vendimin për emërimin e Këshillit komunal për vlerësimin e meritave historike e shoqërore të personaliteteve dhe ngjarjeve nga territori i Komunës së Gjilanit, tërësia etnike shqiptare dhe më gjerë.

Anëtarët e Kuvendit janë informuar edhe rreth manifestimit “Flaka e Janarit 2015”, nga shefi i Njësisë për Kulturë, Bujar Haziri si dhe janë njoftuar për aktivitetin gjashtëmujor të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi.

Valentina Bunjaku Rexhepi, ka thënë se kjo ishte mbledhja e fundit për pjesën e parë të vitit, ndërkohë që Kuvendi Komunal do të vazhdojë punën e rregullt në shtator, por gjithmonë do të jetë i gatshëm që të mblidhet nëse paraqitet nevoja dhe e kërkon interesi i qytetarëve.

Në këtë periudhë, Kuvendi Komunal ka mbajtur 5 seanca të rregullta, ku ka miratuar 41 vendime si dhe ka mbajtur një seancë solemne.

Përndryshe, ajo e ka vlerësuar se Kuvendi Komunal i Gjilanit ka punuar në një klimë demokratike, që janë vlera të kësaj vendimmarrje dhe kështu do të vazhdojë edhe në të ardhmen, ka thënë Bunjaku-Rexhepi.

Kryesuesja e Kuvendit tha se është e kënaqur edhe sa i përket bashkëpunimit me subjektet politike si dhe me shefat e grupeve të këshilltarëve në Kuvend Komunal./rajonipress/