Haziri: Gjilani ka brend, por fatkeqësisht s’ka kryetar

Gjilan – Kryetari i Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Gjilan, Lutfi Haziri, ka mbajtur sot konferencë për media, ku ka paraqitur vërejtjet, sugjerimet dhe rekomandimet për qeverinë komunale. Sot, do paraqesim vërejtjet, sugjerimet e rekomandimet tona lidhur me pakënaqësitë qytetare për mos angazhimin dhe mos funksionalizimin e projekteve që janë në interes të zhvillimit të komunës së Gjilanit, qoftë infrastrukturor apo zhvillimor ka thënë Lutfi Haziri.
“Asnjë projekt i ri i filluar, përkundër disa memorandumeve të nënshkruara me ministritë e linjave. Kjo administratë ka lënë në sekondare dhe pa përkujdesje kontratat e punës në fuqi. Rritja e kostos, shtrenjtimi i jetës së qytetarëve dhe rritja e çmimeve ka bërë që një numër i madh i operatorëve të mos punojnë dhe të mos i zbatojnë kontratat. Mos zgjidhja e problemit të rishikimit të çmimeve nga ana e operatorëve, dhe mos interesimi i Komunës ka bërë që asnjë projekt i kontraktuar të mos zbatohet” ka shtuar Haziri.
“Është shqetësuese mos zbatimi i detyrës në ndërtimin e rrugëve regjionale, mungesa e interesimit dhe mos shtyrja e këtyre programeve duke improvizuar rrugën Gjilan-bunari i Përlepnicës. Në vend se të përfundohet rruga deri në hyrje të Dobërçanit sipas projektit të mëhershëm, këta nuk kanë arritur ta kalojnë udhëkryqin e Shillovës. Mos fillimi i punimeve në Rrugës së Prishtinës, përkundër financimit të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, mos zbatimi i kërkesës së BERZH-it për shpronësim dhe zgjidhjet të problemit për puseta dhe kolektorë të ujërave të zeza, po e mban peng fillimin e punimeve. Sa i përket projektit të stadiumit, marrëveshja me operatorin ekonomik është bërë publike për shkëputje të njëanshme nga Komuna, përkundër që asnjë punë nuk është zhvilluar për shkak të rritjes së çmimeve dhe këtu dëmtohet projekti i stadiumit” ka thënë Haziri.
“Pra, mos interesimi për projektet zhvillimore të Gjilanit neve na bënë të shqetësuar që Gjilani nga qendra e investimeve më të mëdha publike që financohen nga institucionet ndërkombëtare dhe qeveria e Kosovës, por rrëshqet në një depresion politik dhe ekonomik. Janë dhënë 109 premtime, por për nëntë muaj qeverisje janë zero të iniciuara. Është e vërtetë që Gjilani ka brend, por fatkeqësisht po dëshmohet që s’ka kryetar!, u shpreh Lutfi Haziri./rajonipress/