Haziri: Gjilani do të festojë ndryshe

Gjilan – Komuna e Gjilanit i ka bërë të gjitha përgatitjet për të shënuar ditën e çlirimit. Bujar Haziri drejtor për kulturë tha se dy ditët e vikendit do të jenë të shënuara me aktivitete nga më të ndryshmet. Gjilani këtë vit do të festojë edhe më ndryshe tha ai.
Komuna e Gjilanit ka bërë të gjitha përgatitjet për të shënuar 15 qershorin Ditën e Çlirimit.
Bujar Haziri drejtor për kulturë, rini e sporte tha për rajonipress se për dy ditët e vikendit 14 dhe 15 qershor 2014 do të ketë aktivitete të ndryshme të cilat do ta pasurojnë shënimin e ditës së çlirimit.
Haziri tha se më 14 qershor pritet të bëhet shpallja e fituesit të çmimit “Beqir Musliu”, pastaj me një moto “Dhurojmë gjak shpëtojmë jetë “ si dhe programi dhe Hapja e Festivalit “Gurra Popullore” para platosë së Teatrit të Qytetit.
Kurse më 15 qershor 2014 do të fillohet me homazhe në varrezat e dëshmorëve, për të shënuar Ditën e Çlirimit të Gjilanit dhe më pas do të bëhet ndarja e mirënjohjeve për persona të cilët kanë dhënë kontribute të veçanta në fusha të ndryshme – para Teatrit të Qytetit.
Haziri thotë se tashmë të gjitha përgatitjet kanë përfunduar dhe shpreson se gjilanasit do të festojnë ashtu siç kanë ditur përherë të jenë organizues dhe pjesëmarrës të këtyre përvjetorëve./rajonipress/