Haziri: Gjilani dhe gjilanasit nuk frikësohen nga eskorta e Hashim Thaçit

Gjilan – Lutfi Haziri kandidat për kryetar nga radhët e LDK-së dhe kryetar i këtij subjekti politik e ka akuzuar edhe njëherë Hashim Thaçin se me eskortën e tij dhe me hijet e zeza që po sillen çdo ditë nëpër Gjilan po i shantazhon dhe kërcënon gjilanasit. Gjilani nuk ka frikë nga këto shantazhe sepse ai tashmë është përcaktuar për njeriun e saj që do të udhëheq me Gjilanin për katër vitet e ardhshme.
Kandidati i LDK-së për kryetar të Gjilanit Lutfi Haziri në një konferencë për medie të mbajtur këtë të mërkure e ka akuzuar edhe njëherë Hashim Thaçin duke thënë se me eskortën e tij po bënë presion të vazhdueshëm mbi gjilanasit. “Gjilani dhe qytetarët e saj nuk e durojnë më gjuhën e ndërmjetësuesit e as presionet. Nuk është mirë që qytetarët e Gjilanit të kërcënohen për një rrugë, apo trotuare. Gjilani është larguar nga shantazhi, kërcënimi dhe gjilanasit nuk e kanë ndërmend t`i frikësohen hijeve të zeza që sillen me kamera çdo ditë nëpër Gjilan” tha Haziri, raporton rajonipress.
Hairi tha se gjilanasit tashmë janë përcaktuar për njeriun e tyre që do të udhëheq me katër vitet e ardhshme.“Ne jemi të brengosur që ky pushtet kujdestar dhe ky kryetar kujdestar po bëjnë premtime në këtë kohë kur gjithçka dihet rreth fituesit. Në Cërrnicë, Dardani e Kmetoc qytetarëve po u merren letërnjoftimet dhe listat dhe po u premtohen rrugë e trotuare. Kjo mënyrë e përfitimit të votave nuk i bënë nder askujt. Unë e ftojë publikisht pushtetin në ikje që mos të abuzojë me paranë publike sepse prej 3 nëntorit llogaritet si keqpërdorim i buxhetit. E ftojë edhe prokurorinë dhe hetuesit që të hetojnë këto raste drastike” tha Haziri.
Haziri tha se futja dhe rrëshqitja e Gjilanit në mënyrë joligjore në këto projekte e premtime e fut edhe më shumë Gjilanin në zhytje të thellë.”Vërtet keqpërdorimi i parasë publike është i dhimbshëm” tha Haziri.
Haziri i ka bërë thirrje publike shërbyesve civil, punëtorëve , zyrtarëve të administratës e institucioneve tjera që të kryejnë detyrat e tyre pa frikë e pa presione.”Për LDK në Gjilan do të ketë vetëm gjuhë afrimi e bashkëpunimi. Ne jemi në kontakt me të gjitha partitë dhe grupet e interesit dhe kemi marrë mbështetje edhe nga disa Iniciativa Qytetare” tha Haziri.
Sipas Hazirit partner i vetëm i LDK-së vazhdon të mbetet qytetari. “Ne e kemi sfiduar Hashim Thaçin dhe krejt kabinetin qeveritar edhe pse janë dhënë oferta të çuditshme nga i pari i Qeverisë. Gjilani nuk frikohet më as nga këto oferta ekstreme e as nga presionet” tha Haziri./rajonipress/