Haziri: Funksionalizimi i mjekësisë primare do të jetë prioritet i yni

/ 2 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka pritur sot në një takim përfaqësuesit e Federatës Sindikale të Shëndetësisë, të shoqëruar edhe nga Sindikata në nivelin lokal, me të cilët ka biseduar për punën, sfidat dhe problemet në këtë sektor të rëndësishëm të shoqërisë.

Kryetari i kësaj Sindikate, Blerim Syla, ka folur për problemet e mëdha që ata po ballafaqohen, duke filluar nga ligji për shëndetësinë, që sipas tij e ka lënë anash mjekësinë primare.

”Ajo që është më e dhimbshme është mjekësia primare, e cila, është lënë anash në ligjin për shëndetësinë. Qeveria i ka paraparë vetëm 40 milionë euro për mjekësinë primare që është qesharake. Presim nga ju si kryetar i Komunës që të jeni më këmbëngulës për mjekësinë primare, meqë jeni përgjegjës në Gjilan. Poashtu, ne kemi një kontratë kolektive dhe besojmë se në Gjilan nuk do të kemi problem ta implementojmë”,tha Blerim Syla, kryetar i Federatës Sindikale të Shëndetësisë.

Eco Higjiena

Ndërsa, kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, i ka ofruar partneritet të plotë krerëve të kësaj sindikate, ndërsa ka thënë se e ka në prioritet funksionimin normal të mjekësisë primare, për t’i përmbushur nevojat e qytetarëve të Gjilanit.

”Mund të llogaritni në partneritet të plotë tonin. Mjekësia primare është njëra nga shtyllat që do të jetë prioritet i Komunës së Gjilanit. Do të bashkëpunojmë shkëlqyeshëm, në mënyrë që t’i zgjidhim të gjitha problemet e kësaj fushe. Në programin tim si kryetar komune prioritet është funksionalizimi të shëndetësisë”, ka thënë, ndër të tjera, kryetari Haziri në takimin me krerët e Federatës Sindikale të Shëndetësisë./rajonipress/