UBT

Haziri emëron Task Forcën 4-anëtarësh për dekoncentrimin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit

/ 4 minuta lexim
Fundamenti

Gjilan – Kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, në një konferencë të jashtëzakonshme për media, ka bërë publike vendimin për ndarjen e shumës prej 47 mijë euro për teatrin e qytetit deri në fund të dhjetorit, sikurse edhe vendimin për emërimin e Task Forcës 4-anëtarëshe për dekoncentrimin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe vendimin për emërim të koordinatorit për marrëdhënie, bashkëpunim regjional dhe koordinim me donatorët.

“Vendimi ka të bëjë me çështjen e teatrit të qytetit të Gjilanit, sipas rekomandimit të Kuvendit Komunal të datës 26 maj 2015, pika 3, ku thuhet se “deri në gjetjen e zgjidhjes rreth definimit të statutit të teatrit në bashkëfinancim me MKRS-në, Komuna të bëjë subvencionimin e projekteve të teatrit në mënyre që ansambli i aktorëve të performoj konform projekteve dhe programeve të paraqitura”. Ne sot e kemi iniciuar dhe Kuvendi e ka mbështetur me ç’rast i falënderoj ata në mënyrë që ta zgjidhet çështja e financimit. Mjetet që janë ndarë sot për teatrin në vlerë prej 47 mijë euro, vijnë nga vija buxhetore e Zyrës e kryetarit të Komunës dhe do t’i mbuloj të gjitha shpenzimet deri më 31 dhjetor 2015 përmes zbatimit të procedurave sipas ligjeve në fuqi”, ka thënë kryetari Haziri.

Kreu i Gjilanit ka paralajmëruar se gjatë kësaj jave Komuna do të ndërmarrë veprimet konkrete që kanë të bëjnë me përgatitjen dhe mënyrën se si do të financohet teatri për vitin 2015.

“Ne e kemi një plan buxhetor prej 12 mijë e 500 euro që do t’i barten teatrit në nën-kod buxhetor, pasi që Ministria e Financave ta vlerësoj këtë çështje. Kjo shumë e mjeteve nuk është vetëm e zyrës sonë, por edhe i Bordit të teatrit dhe teatrit të qytetit. Poashtu, Teatri do të jetë institucioni më i financuar në vitin e ardhshëm”, ka shtuar Haziri.

Fundamenti

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Gjilanit ka bërë publike vendimin për emërimin e katër anëtarëve të Task Forcës për dekoncentrimin kulturës, rinisë dhe sporit.
“Sot, poashtu do të emëroj katër autoritete që do të merren drejtpërdrejt me dekoncentrimin e kulturës, rinisë dhe sporteve, me kalendar kulturor, me repertuar dhe me të gjitha nevojat që ka në zbatim të vendim të Kuvendit Komunal: Bashkim Nexhipi – aktor në teatër, do ta udhëheq Task Forcën për Kulturë, Rini dhe Sport dhe do të merret me koordinimin e të gjitha aktivitetet kulturore në shërbim të organizimit mes zyrës së kryetarit; Kujtim Shahiqi vije nga fusha e kulturës dhe gazetarisë, i cili do të jetë pjesë e ekipit që do të merret me punën e dekoncentrimit të plotë të institucioneve kulturore në varshmëri; nga sektori i sportit emërohet Malazog Hoxha, i cili është kryetar i Lidhjes Regjionale të Sporteve në Gjilan dhe ka për detyrë të koordinoj aktivitetet sportive dhe të gjitha organizmat, në mënyrë që ta përgatisim edhe sektorin e sportit për buxhetim, financim dhe kalendar sportiv. Ndërkaq i katërti është Genc Mustafa, i cili ngarkohet me çështjen e dekoncentrimit dhe koordinimit të aktiviteteve që lidhen me sektorin e rinisë”, ka theksuar Haziri.

I pari i gjilanasve tha se kjo Task Forcë do të jetë në varshmëri të plotë të Zyrës së tij dhe do të marrë për detyrë realizimin e të gjitha objektivave që i kanë vendosur, në mënyrë që tre sektorët e mëdhenjë: kultura, rinia dhe sporti, të zënë vendin meritor, përmes financimit të rregullt dhe buxhetimit të rregullt dhe kalendarit të rregullt.

Krejt në fund, kryetari Haziri ka bërë publik edhe vendimin për emërim të koordinatorit për marrëdhënie, bashkëpunim regjional dhe koordinim me donatorët, Faton Bislimin, i cili është profesor universiteti në Kanada dhe SHBA.

Këto emërime hyjnë në fuqi nga e marta, më 1 dhjetor 2015./rajonipress/