Haziri e Zharku, marrëveshje 3.7 milionë euro për investime në infrastrukturë

Gjilan – Marrëveshje tejet të rëndësishme për t’ua përmirësuar cilësinë e jetesës qytetarëve ka nënshkruar sot kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri me ministrin Infrastrukturës, Lutfi Zharkun.
Sipas kësaj marrëveshje, Ministria e Infrastrukturës do të financojë në Gjilan projektet infrastrukturore në zonën urbane dhe rurale me shumën prej 3.7 milionë euro.
Kryetari Haziri ka falënderuar ministrin Zharku për mbështetjen, ndërkaq ka shtuar se gradualisht po përmbushet zotimi për heqjen e lloçit dhe të vadave.
Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, ka shprehur zotimin dikasteri i tij do të ketë kujdes të veçantë për Gjilanin në investimet në infrastrukturë edhe në të ardhmen, meqë në të kaluarën ka qenë qytet i anashkaluar në investime.
Përndryshe, kreu i Gjilanit ka nënshkruar disa marrëveshje milionëshe gjatë fundvitit të kaluar dhe sivjet, të cilat do të përdoren kryesisht për ndërtim të katërshes së infrastrukturës./rajonipress/