Haziri e Sinani: Pa zgjidhje të problemit të Kosovës Lindore nuk ka paqe të qëndrueshme në rajon

Gjilan – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka pritur në takim pune kryetaren e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, me të cilën janë dakorduar për bashkëpunim të vazhdueshëm në zgjidhjen e problemeve ekonomike, sociale, kulturore dhe politike të shqiptarëve, duke trajtuar të drejtën e shqiptarëve dhe parimin e vetëvendosjes që qytetarët e këtyre komunave ta kenë të drejtën e bashkimit me Republikën amë.

“Sot ne së bashku me kryetaren e Preshevës kemi konfirmuar angazhimin maksimal për lehtësimin e të gjitha aktiviteteve që kanë të bëjnë me qytetarët e Gjilanit, Preshevës dhe Kosovës Lindore në përgjithësi, që banorët e këtyre dy anëve të cilët janë në lidhje familjare, të gjakut dhe miqësore, të kenë liri të qarkullimit dhe pa pengesa. Zhvillimi ekonomik lokal është fokus i përbashkët gjithashtu që ekonomia dhe agrobiznesi të shënojnë hapa pozitiv në këtë drejtim duke aplikuar me projekte të përbashkëta në fonde dhe grante ndërkombëtare”, ka thënë pas takimit Haziri.

Ai, gjithashtu, tha se janë fokusuar edhe në koordinimin e një kalendari të përbashkët të aktiviteteve vjetore, respektivisht me çështjet që kanë të bëjnë me arsim me kulturë dhe me aktivitete të tjera që janë interes i përbashkët.

“Në kohën e zhvillimit të bisedimeve për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, çështja e shqiptarëve të Kosovës Lindore duhet të jetë pjesë e tavolinës dhe në interes të qeverisë së Kosovës dhe të mandatuarit për negociata. Parimi i reciprocitetit dhe parimi i të drejtës për vetëvendosje i qytetarëve të këtyre tri komunave nënkupton që t’u kthehet e drejta për të jetuar në Republikën amë të tyre, por ky është proces politik që është në rifillimet e saja në këtë dekadë të re. Besimi im i madh është që njerëzit dhe besimi i tyre nuk mund të shkelet asnjëherë, i kalon përmasat e kërkesave të kohës dhe përmasat e ngushta të politikanëve, qofshin në Beograd apo në Prishtinë. Fudja, e drejta për të jetuar dinjitetshëm në shtëpinë e vet i takon secilit”, ka thënë mes tjerash kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri.

Ardita Sinani, kryetare e Komunës së Preshevës, pas takimit me kryetarin Haziri, ka falënderuar atë për mbështetjen e vazhdueshme që ka dhënë gjithmonë për Kosovën Lindore dhe ka paraqitur shqetësuese problemet që kanë shqiptarët në tri komunat shqiptare të cilat janë sakrificë e rëndë e politikës në Beograd.

“Problemet e shqiptarëve në tri komunat shqiptare, Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, janë të shumta, që nga shkelja e të drejtave të njeriut, lirisë së lëvizjes e deri te mungesa e investimeve. Do të punojmë së bashku me kryetarin e Gjilanit që përmes projekteve të përbashkëta ndër-komunale e ndër-kufitare, të aplikojmë në fonde të Komisionit Evropian, në programe të IPA-s dhe tek donatorë të ndryshëm për të investuar në projekte jetike dhe të domosdoshme. Kjo për arsye që buxhet nuk kemi për të zhvilluar projekte në infrastruktura publike, projektet në bujqësi, ndërrmarrësia e mesme dhe e vogël, shërbimet komunale e deri te projektet kulturore”, ka thënë ajo.

Më tej në temën e bisedimeve Kosovë – Serbi, kryetarja Sinani tha se ka sqaruar se pa zgjidhje të problemit të Kosovën Lindore nuk ka paqe të qëndrueshme në rajon.

“Problemet që kanë shqiptarët në tri komunat shqiptare Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, janë shumë të dhimbshme që nga ato sfidat e mëdha socio-ekonomike deri te mosekzistimi juridik i shqiptarëve përmes pasivizimit të adresave të vendlindjes. Diskriminimi është i vazhdueshëm. Serbia hap dialogun me Kosovën, ndërsa bllokon dialogun me këto komuna shqiptare atje dhe me përfaqësuesit shqiptarë. Mirëpo bisedimet përfundimtare, nëse nuk trajtojnë edhe zgjidhjen e shqiptarëve në Kosovën Lindore, nuk mund të garantohet stabilitet dhe paqe të qëndrueshme në rajon”, tha Sinani./rajonipress/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS