Haziri e ambasadori Turqisë inaugurojnë projektin e renovimit të klasave parashkollore në “Musa Zajmi”

Gjilan – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka pritur në takim ambasadori i Republikës së Turqisë në Kosovë, Çagrı Sakar, e më pas kanë inauguruar projektin e renovimit të klasave parashkollore në shkollën fillore “Musa Zajmi”, të cilat janë bërë me donacion nga organizata shtetërore turke, Tika.

“E falënderoj ambasadorin Çagrı Sakar për mbështetjen e tij dhe të shtetit turk ndaj Gjilanit në bujqësi, në arsim, sikurse edhe në ndërtimin e partneritetit që Gjilani e ka me Bursan tash e 10 vite. Faleminderit Turqisë edhe për prezencën ushtarake. Kjo mbështetje dhe solidaritet në renovimin e klasave parashkollore do të thotë shumë sepse fëmijët nuk kanë dallime në etni. Ne i garantojmë mësim në gjuhët amtare dhe integrim të plotë në shoqëri, në institucione dhe në jetën publike në Gjilan”, ka thënë Haziri.

Ambasadori i Turqisë në Kosovë, Çakri Sakar, pasi e falënderoi kryetarin Lutfi Haziri për mbështetjen në realizimin e këtij projekti, tha se ky investim në renovimin e klasave parashkollore është i bindur se do të ndikojë tek fëmijët që të marrin arsimim të mirë dhe cilësor.

“Ky projekt është vulë e miqësisë historike mes popullit të Kosovës dhe atij të Turqisë. Në këtë shkollë, fëmijët e komunitetit shqiptarë dhe komunitetit turk, janë duke mësuar, duke luajtur dhe duke u rritur së bashku. Do të vazhdojmë ta mbështesim Kosovën edhe në të ardhmen”, tha ambasadori Sakar.

Falënderim për këtë investim në shkollën “Musa Zajmi”, pati edhe drejtori i këtij institucioni, Ramadan Dermaku./rajonipess/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS