Fundamenti

Haziri: Drejtësia po vepron selektivisht mbi LDK’në, Naseri i pafajshëm

/ 8 minuta lexim
Mobi Casa

Mbi 1 mijë raste të krimit, korrupsionit, vrasjeve, grupeve kriminale janë bllokuar dhe nuk po ndiqen nga drejtësia. Organet e hetuesisë nuk duhet të veprojnë partiakisht mbi disa grupe të caktuara politike. Aksionet e fundit nuk janë në përputhje e kërkesat për zbatim të ligjit. Deputeti Naser Osmani po ngarkohet me diçka që ka ndodhur në kohën kur ai nuk ishte pjesë e AKP’së. Pavarësisht rrethanave aktuale, LDK nuk do të votojë për vendet e rezervuara për pakicat në Kuvend. Anëtari i Kryesisë së LDK’së, Lutfi Haziri, flet për Express.

Express: Kur do të shpërndahet Parlamenti i Kosovës. Isa Mustafa kishte paralajmëruar se shpërndarja e Kuvendit do të ndodhte javën e kaluar?

L. Haziri: Java e ardhshme është javë e fundit e kësaj legjislature, e cila përfundimisht po shkon në vetë-shpërbërje për dy arsye madhore. E para, ky Kuvend nuk ka më autoritet ligjvënës dhe ka përfunduar mandatin edhe duke u bazuar në Marrëveshjen Mustafa-Thaçi-Pacolli në krizën presidenciale. Natyrisht, duhet të respektohet marrëveshja politike që zgjedhjet të mbahen në pranverën e këtij viti.

Express: A do të ketë mundësi të votohet Ligji i ri për zgjedhje?

L. Haziri: Domosdoshmërishtë duhet të votohet ligji me ato ndryshime kozmetike. Ato ndryshime kanë impakt në proces zgjedhor. Mendoj se Qeveria duhet ta kryejë obligimin e vetë. Edhe Gjykata Kushtetuese duhet ta japë mendimin sa i përket mandatit të ligjit në mënyrë që të mos ketë probleme në interpretime të ndryshme. Kuvendi derisa është në fuqi ka mundësi ta votojë edhe propozimin tashmë të njohur për Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës dhe ta përmbyllë punën me nderë.

Express: Megjithëkëtë, partitë minoritare po kushtëzojnë themelimin e Forcave të Armatosura me vendet e rezervuara në Kuvendin e Kosovës?

L. Haziri: Ky është vetëm fillimi i fundit të kushtëzimeve që mund të vijnë si pasojë e kërkesave mbi parimin e diskriminimit pozitiv. Duhet të mbyllet kjo çështje. Mandati i Kushtetutës e përfundon sepse kjo është negociuar në Vjenë. Negociatat e Vjenës kanë qenë jashtëzakonisht të vështira dhe vendimi për t’ua mundësuar vendet e rezervuara ka qenë vendim i njohur ndërkombëtarisht. Ne nuk duhet të vazhdojmë të bëjmë kompromis mbi një kompromiset e dhimbshme që kemi bërë në procesin e Vjenës. Përfaqësimi mbi diskriminimin pozitiv përfundimisht në këtë kategori përfundon sipas mandatit kushtetues. Minoritetet duhet ta kuptojnë se edhe më tutje janë të përfaqësuar jashtëzakonisht mirë…

Express: Sot, ambasadori i Britanisë së Madhe, Ian Cliff u ka dërguar mesazh LDK’së dhe Isa Mustafës se vendet e rezervuara për pakicat duhet të vazhdohen edhe për një mandat. A do t’i kushtojë LDK’së ky konfrontim me ndërkombëtarët edhe me rezultatin e zgjedhjeve?

L. Haziri: Nuk mendoj se është konfrontim. Unë e mirëkuptoj qëndrimin e ambasadorit britanik dhe ambasadorin Cliff si diplomat dhe mik i Kosovës. Natyrisht, se kjo është kërkesë në kuadër të kërkesave të vazhdueshme të komunitetit serbë në Kosovë, në këtë fazë, përfundimisht duhet të mirëkuptohet se përfundon. Kosova nuk mund të garantojë vendet e rezervuara pakufi për përfaqësim për shkak se dëmtohet vendimmarrja e Kosovës në të ardhmen. E kemi parë se kabineti Thaçi është udhëhequr në parimin e qeverisjes së pakicës politike. Sepse është ndërtuar nga shumë grupe të vogla politike që janë përfaqësuar si për shembull ka deputet me 100 vota në Kuvendin e Kosovës dhe ka deputet me 80 mijë vota.

Express: Cili është qëndrimi i LDK’së për idenë e themelimit të një fondi për t’i mbrojtur ata që do të ndiqen nga Gjykata Speciale?

L. Haziri: LDK e ka thënë mendimin e vetë. Ka besuar gjithmonë se drejtësia duhet të vendoset në Kosovë. Për faktin se LDK ka dhënë votën pro themelimit të Gjykatës Speciale, përfundimisht, LDK i ka bërë edhe një nderë Kosovës dhe koalicionit qeverisës në këtë proces të votimit për shkak se s’ka dashur që Tribunali të themelohet nga OKB’ja. Sa i përket mekanizmave tjerë, nuk mund të them se çfarë qëndrimi ka LDK’ja. Mund të them mendimin tim se është justifikim për vendime të rënda.

Drejtësi selektive veç mbi LDK’në

Mobi Casa

Express: Aktualisht LDK ka një deputet më pak në Kuvendin e Kosovës. Naser Osmani tanimë është arrestuar. Sa e dëmton kjo LDK’në?

L. Haziri: Për LDK’në, Naser Osmani është duke u marrë në pyetje. Sipas asaj që LDK’ja është njoftuar drejtpërdrejtë nga kolegu Naser Osmani, për kohën kur po flitet nuk ka qenë as anëtar i Bordit të AKP’së. Besoj se shumë shpejt se ai personalisht do ta sqaroj Prokurorinë dhe Policinë e Shtetit. Ky është proces që drejtësia duhet të shkon deri në vend. Skenat e fundit që po i shohim në Kosovë, vërtetët, është e rëndë për këtë shtet.

Express: A e keni humbur argumentin të flisni për korrupsionin pas arrestimit të Naser Osmanit i dyshuar për korrupsion?

L. Haziri: Absolutisht, është gabim nëse mundohen t’ia lënë në derë LDK’së korrupsionin. Nuk mund t’ia lënë nëse adresojnë etiketa drejtpërdrejtë dhe pretendojnë me balancu me politizu këtë dukuri negative në Kosovë.

Express: Mirëpo, para pak ditësh u realizuan edhe disa arrestime në Komunën e Prishtinës ku LDK ka udhëhequr prej pasluftës. Tash, u arrestua një deputet i LDK’së dhe po ashtu pati prangosje edhe të disa zyrtarëve të Komunës së Podujevës. Në këtë situatë, ai i humb LDK’së argumenti me fol për kundër korrupsionit?

L. Haziri: Nëse e parashtroni ju këtë pyetje në këtë formë, atëherë, po del se ka qenë një skenar i përgatitur që me ia marrë “argumentin” e luftës kundër krimeve të rënda që kanë ndodhur në Kosovë sa i përket korrupsionit. Është e kundërta. Secili që përballet me drejtësinë vet. LDK nuk e ka problem me këtë çështje sepse është parti që ka qenë në nivel qendror opozitë. Sa i përket Prishtinës, kjo ka të bëjë me një angazhim disa vjeçar. Ju e dini edhe sa ka ndodhur një arrestim i zyrtarëve dhe shërbyesve civil të Komunës së Prishtinës. Kjo nuk lidhet drejtpërdrejtë LDK’në sepse ata janë shërbyes civil dhe janë punëtorë të shtetit.

Express: Gjithmonë kur ka pasur arrestime dhe aksione të policisë ka pasur zëra se po bëhen për motive politike. A shihni ju elemente të tilla edhe në arrestimin e fundit të Naser Osmanit?

L. Haziri: Nëse e marrim kohën në të cilën fillohet dhe nëse i shikon rrethanat tjera, çështjet që janë ngritur dhe pritjet që mekanizmi i shteti i ka pasur për tri vitet e fundit, po bëhet e qartë se sundimi i ligjit nuk është realizuar sipas detyrës dhe pritjes së vetë qytetarëve të Kosovës dhe faktorit ndërkombëtarë. Me faktin se është injoruar angazhimi në luftë kundër korrupsionit, krimit dhe grupeve të përfshira në krim dhe korrupsion, dhe tash vetëm pak ditë para fushatës dhe fillimit të zgjedhjeve parlamentare ka një targetim, ka një target drejtpërdrejtë ndaj grupeve të caktuara, ndaj komunave të caktuara, ndaj institucioneve të caktuara, lë të dyshohet dhe lë të besohet që ky angazhim është në përputhje me kërkesat për zbatimin e ligjit në Kosovë.

Express: Rrjedhimisht, sipas jush, po veprohet kundër LDK’së?

L. Haziri: LDK është vendosur në fokus në këto tri vitet e fundit, nuk e di me cfarë arsye, përderisa botërisht dihen aferat korruptive në Kosovë. Dihen problemet serioze që lidhen me krimin dhe korrupsionin në Kosovë. Ka mbi 1 mijë procese të hapura të krimit, korrupsionit, vrasjeve, grupeve kriminale që janë bllokuar dhe nuk zhvillohen dhe natyrisht drejtësia nuk mund dhe nuk duhet të jetë selektive. Apeli i të gjithëve në Kosovë është që drejtësia të mos jetë selektive, por të jetë gjithëpërfshirëse. Korrupsioni mund të ndalet vetëm nëse luftohet drejtpërdrejtë dhe jo partiakisht por duhet të luftohet në mënyrë institucionale. Duhet të jetë një front i përbashkët institucional që garanton dhe siguron që drejtësia të mos jetë selektive në Kosovë.

Express: Ta qartësojmë edhe një herë, sipas jush, aksionet e kohëve të fundit janë drejtësi selektive mbi LDK’në?

L. Haziri: Unë e thash shumë qartë dhe besoj se secili e kupton çka thashë më lartë.