KKVITI

Haziri: Do ta bëjmë bllokun e djathtë

/ 12 minuta lexim
KKVITI

Intervistë me Lutfi Hazirin, anëtar i kryesisë së LDK-së. Vetëvendosje kishte synim të na bashkonte rreth agjendës së saj, por LDK nuk ka nevojë të bashkohet rreth agjendës së Kurtit, sepse është parti lidere, dhe pretendon bashkimin e bllokut të djathë, thotë Lutfi Haziri, deputet dhe anëtarë i kryesisë së LDK-së.

Marie Nikolla

Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk ka hequr dorë nga kërkesa për dorëheqje të presidentes Atifete Jahjaga, dhe është në pritje të saj. Lutfi Haziri, anëtar i Kryesisë së LDK-së, në intervistën për IP MAGAZINË, kur flet për iniciativën e Lëvizjes Vetëvendosje për një bllok opozitar, thotë se është kundër, jo për faktin se nuk duan bashkim të opozitës përballë pushtetit, por për atë, se Vetëvendosje pretendon bashkim rreth agjendës së saj. Haziri beson në krijimin e një blloku tjetër, atë të djathtë, që ka për bazë filozofinë rugoviane. Për bisedimet Kosovë – Serbi dhe epilogun e tyre, rreth asociacionit të komunave me shumicë serbe, thotë se do të jetë një asociacion-shoqatë, pa kompetenca ekzekutive, dhe si i tillë është plotësisht i pranueshëm për LDK-në.

IP MAGAZINË: Kohë më parë, kryetari i LDK-së Isa Mustafa, pati deklaruar se kjo parti po bën përpjekje për krijimin e një koalicioni të djathtë. Po vazhdon përpjekja e krijimit të këtij blloku?

Haziri: Mund të themi që rundi i parë i bisedave është përmbyllur, edhe cikli i parë i bisedave që ka të bëjë me takimet e para, njoftimi me idenë, me nevojën dhe arsyen që e djathta, veçanërisht e djathta rugoviane, të bashkohet, e cila përfshin partitë e qendrës së djathtë, partitë e vijës nacional-demokrate dhe partitë demokristiane, si dhe LDD-në, me të cilat ka edhe një traditë bashkëpunimi. Kjo është rrugë njëdrejtimëshe. Takimet me të gjitha këto grupe kanë hapur debate dhe debatet janë të frytshme.

IP MAGAZINË: Mund të presim që në zgjedhjet e ardhshme i gjithë ky grup të garojë bashkë?

Haziri: Ajo që unë besoj është që lideri i LDK-së është duke e proklamuar bashkimi në një ombrellë. Kjo nënkupton që e djathta rugoviane të bëhet bashkë karshi degjenerimit të pushtetit, devijimeve në shoqëri dhe krizave që po dalin çdo ditë e më shumë, qofshin ato ekonomike, sociale dhe kriza në përgjithësi. Kështu që, nën udhëheqjen e LDK-së, gjithë ata që bashkohen në një fron të madh politik, ideologjik dhe djathtist, natyrisht që mund të krijojnë siguri për të ardhmen.

IP MAGAZINË: A pritet që LDD-ja të bashkohet me LDK-në?

Haziri: Ne do të donim shumë të shihnim kthimin në familje dhe kthimin në LDK. Ajo po ndodh çdo ditë nga anëtarësia, dhe funksionarët lokalë. Shembulli i fundit i Deçanit, dhe shembulli i mirë i Ferizajt dhe Gjilanit më herët, por edhe në të gjitha degët dhe komunat, anëtarësia vetë po e shpreh vullnetin. Do të donim që edhe funksionarët qendrorë të LDD-së ta kuptonin këtë sjellje të anëtarësisë dhe këtë vullnet të mirë të LDK-së që të bëhemi bashkë. Kjo nuk varet më nga LDK-ja, krejt varet nga qëndrimi politik që lideri i LDD-së mund ta ketë. Ky vullnet politik besoj që do të korrespondojë me kërkesën dhe nevojën që sot ka vendi. Vendi po pret që LDK-ja duhet të bashkohet në krejt pjesët e saja, krejt copat e saja dhe krejt skajet e saja, në mënyrë që të rikthehet fuqishëm dhe për herë të parë të qeverisë vendin në kuptimin e plotë dhe të ketë përgjegjësinë në nivelin e kryeministrit, duke mos përpjesëtuar pushtetin më me grupet e tjera politike.

IP MAGAZINË: Së fundi lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka ftuar opozitën të bashkohet për krijimin e një blloku opozitar. Pse e refuzuat?

Haziri: Iniciativa e z. Kurti për t’u bashkuar, më shumë e ka frymën e tendencës së bashkimit rreth agjendës së Vetëvendosjes. LDK-ja nuk mund të bashkohet as rreth agjendës së z. Kurti, as rreth agjendës së të tjerëve. LDK-ja është parti historike e këtij vendi, parti me rol dhe lidere opozitare, rreth së cilës besoj kanë nevojë të gjithë të bashkohen. Unë nuk jam kundër bashkëpunimit, por jam kundër mënyrës apo tendencës që të tjerët të absorbojnë rolin e LDK-së, si partia më e madhe. LDK-ja nuk guxon në asnjë formë që të pranojë të absorbohet nga grupet e vogla dhe grupet majtiste në veçanti, edhe pse në Kosovë është bërë trend, që të gjithë të deklarohen të djathtë. Por, ne si parti politike, menjëherë pas luftës, jemi profilizuar si parti e qendrës së djathtë dhe jemi integruar në partitë popullore evropiane, si familja më e madhe e qendrës së djathtë.

IP MAGAZINË: Bisedimet me Serbinë tani ndodhen në pikën finale, cili është vlerësimi i LDK-së për rrugën në të cilën po shkon ky proces?

Haziri: Këto bisedime janë vendosur në shtatë kushte nga ana e LDK-së. Këto shtatë kushte janë kthyer në rezolutë të Kuvendit, e cila e obligon Qeverinë që në kuadër të mandatit për bisedime, të jetë e kujdesshme dhe mos të lejojë të thyhet kushtetutshmëria, sovraniteti dhe të mos lejohet Serbia të përzihet në punët e brendshme të Kosovës. Ky normalitet me Serbinë është në kuadër të kornizës evropiane, nuk është normalizim i marrëdhënieve të luftës që Kosova dhe Serbia i kanë, por po bëhet për përballimin e kornizës evropiane që shtetet fqinje të mos e pengojnë njëra-tjetrën në rrugën e integrimit në Evropë. Rezultatet janë edhe më tutje në pritje, nuk ka rezultate ende, por ka afri dhe pritet që prilli të jetë muaji që mund të kornizohet eventualisht kjo marrëveshje, si pasojë e dialogut teknik dhe atij politik. LDK-ja përsëri do të jetë gardian i ruajtjes së parimeve të Rezolutës. Ka ardhur koha që bisedimet të bëhen edhe rreth zgjidhjes së problemeve të Kosovës Lindore, dhe shqiptarët atje duhet të jenë pjesë e pandashme e Kosovës, ata duhet të përfshihen në një mënyrë ose në një tjetër në normalizimin e marrëdhënieve. Pa zgjidhjen e problemit të kufijve dhe pa zgjidhjen e problemit të shqiptarëve në Lindje të Kosovës, nuk mund të ketë normalitet të serbëve në Veri dhe nuk mund të ketë normalizim të marrëdhënieve me Serbinë.

Hidromorava

IP MAGAZINË: Marrëveshja kryesore që po pritet është ajo për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, a ekziston rreziku që ky asociacion të ketë kompetenca ekzekutive, dhe nëse ndodh kjo, si do të veprojë LDK-ja?

Haziri: Nëse kjo ndodh, atëherë thyhen parimet e Rezolutës dhe LDK-ja nuk e ratifikon marrëveshjen dhe do ta rrezikojë këtë proces. Por, ne besojmë që asociacioni do të jetë shoqatë jo qeveritare, shoqatë e të zgjedhurve komunalë, të cilët do të mund të bisedonin, të rekomandonin politika, të bashkohen dhe të angazhohen në kuadër të kornizave ligjore të Ligjit për qeverisje lokale dhe Ligji për partneritet komunal. Jashtë kësaj, rreziku është që të krijohet shtresa e tretë e pushtetit, të rajonalizohet Kosova dhe de fakto ajo është një ndarje e brendshme, ku Kosova rrëshqet në njohjen e autonomisë territoriale të serbëve në veri. Kjo është e papranueshme, sepse e sakatos institucionin dhe vetë shtetin e Kosovës. Deri tani ka siguri edhe nga partnerët ndërkombëtarë se nuk do të lejohet ndarja e brendshme e Kosovës. Tani Beogradi e ka një rol historik që të mos vazhdojë me politikën destruktive të rolit të serbëve në Kosovë, por edhe kryeministri Thaçi nuk e ka mandatin të kalojë jashtë parimeve që e ndalojnë krijimin e nivelit të tretë të pushtetit dhe autonominë e tri komunave. Zgjidhja e problemeve bëhet për njerëz e jo për tokë, por Serbia, Kosovën e sheh si territor e jo zgjidhje të problemit të njerëzve.

IP MAGAZINË: Nëse marrëveshja nuk sillet në Kuvend për ratifikim, cilët do të jenë hapat e LDK-së?

Haziri: Detyrimisht do të vijë për ratifikim në Kuvend marrëveshja që pritet të arrihet. Është në interesin e të dyja palëve. Ratifikimi i marrëveshjes nënkupton shumicë të madhe dhe shumica e madhe merr edhe përgjegjësi. Marrëveshja pa implementim nuk do të thotë asgjë. I gjithë rezultati i pritur nga këto bisedime është rezultat në implementim, që nënkupton shpërbërjen e strukturave paralele, ndalimin e financimit nga Serbia dhe veprime konkrete për normalizimin e gjendjes. Serbia fiton shumë, fiton statusin e kandidatit për BE, fiton fonde strukturore nga BE-ja, ndërsa Kosova fiton nënshkrimin e MSA-së dhe procesin e integrimeve evropiane. Por nëse nuk do të ketë marrëveshje, të dy palët humbin shumë, dhe Kosova nuk do të fitojë asgjë, ndërsa procesi i integrimeve evropiane për Kosovën vendoset në një rrugë më të gjatë dhe më të vështirë.

IP MAGAZINË: A është e hapur rruga e integrimit për Kosovën, derisa ende mungojnë pesë njohje nga pesë vende anëtare të BE-së?

Haziri: Unë i kam vizituar kohëve të fundit Sllovakinë dhe Rumaninë, kamë parë se këto pesë shtete anëtare që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës nuk janë mekanizëm bllokues, por ne duhet të punojmë shumë për njohje. Megjithatë, ato shtete nuk janë mekanizën bllokues për integrimet evropiane. Do të jetë kokëçarje e madhe kur të vijë koha e ratifikimit të marrëveshjeve, e liberalizimit të vizave, e dialogu për sundimin e ligjit, riintegrimin, krejt këto janë probleme nga mospranimi i këtyre pesë shteteve dhe Kosova nuk do të mund të integrohet në institucionet evropiane pa këto njohje. Por, shpresoj që Parlamenti Evropian do të marrë një rol më aktiv në rastin e Kosovës, si institucioni i vetëm që ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe aty presim që Kosova të kalojë shumë më lehtë për shkak të mbështetjes së shumicës parlamentare. Por, në procesin e liberalizimit të vizave, ne kemi telashe edhe me shtetet mike të Kosovës: Belgjikën, Francën, Suedinë, Zvicrën, vende këto ku azilkërkimi është ende i madh dhe ky është armiku kryesor i qarkullimit të lirë.

IP MAGAZINË: Tashmë reforma zgjedhore është zhbllokuar, a po arrihet pajtueshmëri dhe a pritet përfundimi i këtij procesi në një të ardhme të afërt?

Haziri: Ky proces është në fund të rrugës 18-mujore, proces i cili është shkaktuar nga LDK-ja me rrëzimin e Pacollit. Përmbyllja do të ndodhë ngase LDK-ja nuk pranon të ketë ndryshime kushtetuese sa i përket kodit zgjedhor në pikat që është obligim kushtetues. Pjesa tjetër është vetëm çështje e kohës kur procesi pritet të përmbyllet. Prioritet sot në Kosovë është ndryshimi i Ligjit për zgjedhjet lokale, ngase edhe këto zgjedhje i kanë problemet e njëjta sa i përket abuzimit të votës, roli i kryetarëve të komunave në këtë mandat, mënyra se si kanë qeverisur, numri i madh i kryetarëve të komunave të dënuar ose me aktakuza, këto tregojnë qartë se ligji aktual nuk është i përshtatshëm për vendin tonë. Zgjedhje lokale do të mbahen në vjeshtën e hershme të këtij viti. Edhe zgjedhjet parlamentare kanë nevojë për një kod garantues zgjedhor, por bashkë më të duhet të hyjë edhe ligji për zgjedhjet lokale.

IP MAGAZINË: Vazhdon të qëndrojë LDK-ja pas kërkesës për dorëheqjen e presidentes Jahjaga?

Haziri: Qëndrimi i LDK-së sa i përket presidentes nuk ka ndryshuar, ajo duhet të respektojë marrëveshjen Thaçi, Mustafa, Pacolli, me ndërmjetësimin e Ambasadës amerikane në Kosovës. Ky qëndrim politik nuk ka ndryshuar dhe shpresojmë që do të pushojnë të gjitha arsyet që mos të ketë më justifikime për moszbatimin e kësaj marrëveshje.

IP MAGAZINË: Mund të pritet një marrëveshje e re, apo një modifikim i marrëveshjes së vjetër mes tre liderëve?

Haziri: Kemi të bëjmë me një dialog të brendshëm rreth reformës zgjedhore dhe kemi dialog edhe sa iu përket bisedimeve me Serbinë, por dialog tjetër nuk ka. Praktikisht mund të themi se dialogu i brendshëm ekziston vetëm në pikat ku kemi pak a shumë koncensus sa i përket integrimeve, reformës zgjedhore dhe bisedimeve me Serbinë, por për çështje të tjera nuk janë hapur tema të tilla. Por, tema e kodit zgjedhorë lidhet ngushtë me marrëveshjen, dhe me faktin që ajo po shkon drejt përmbylljes, me këtë edhe do të përmbyllet nevoja për bisedime për diçka tjetër.