Haziri dëgjon drejtorët, flet për punën e tranzicionit dhe vendimet e marra

Gjilan – Lutfi Haziri, pasi ka dëgjuar raportet e secilit drejtor, ka bërë publike formimin e dy Task Forcave, atë për bujqësinë dhe për grumbullimin e listës së borxheve që i kanë qytetarët dhe subjektet ndaj Komunës, pas Task Forcës së themeluar më herët për menaxhimin e thatësisë.
Lutfi Haziri, kryetar i Komunës së Gjilanit e ka nisur praktikën e re të mbajtjes së mbledhjeve me Bordin e drejtorëve të Komunës së Gjilanit të hapur për mediat dhe shoqërinë civile, që është e 32-ta që nga marrja e pozitës së kryetarit.
Kjo praktikë e re e punës, kryetari Haziri tha se po bëhet për të qenë transparent qind për qind me qytetarët e Komunës së Gjilanit.
Me të nisur mbledhja, Haziri tregoi edhe për praktikën e re të ekspozitave në Zyrën e kryetarit, ku për çdo muaj do të promovojnë veprat e tyre artistët gjilanas. Sot është hapur ekspozita e profesoreshës Magbule Xhemajli dhe veprat e saj do të promovohen për një muaj.
“Mbledhja e kësaj natyre po bëhet në mënyrë që mediat, shoqëria civile dhe qytetarët të përcjellin angazhimet tona, modelin e punës, formën e punës, formatin e punës, dhe vendimmarrjen në Komunës tonë lidhur me zgjidhjen e problemeve”, tha Haziri.
Haziri ka deklaruar se me sukses po përmbyllet faza e parë e punëve, që ka të bëjë me tranzicionin e pushtetit, implementim të rezultateve zgjedhore, identifikim të problemeve etj.
“Për hir të njoftimit të qytetarëve, prej 24 dhjetorit e deri më sot, duke pasur parasysh edhe një periudhë kohore ku drejtorët e rinj janë angazhuar më vonë, pasi ka pasur angazhime të ushtruesve të detyrave, deri sot ne kemi arritur ta përmbyllim fazën e parë të punëve që ka të bëjë me tranzicion të pushtetit, implementim të rezultateve zgjedhore, identifikim të problemeve, prerje buxhetoreve, dëgjim të qytetarëve. Në zyrat tona, prej 24 dhjetorit i kemi dëgjuar kërkesat problemet dhe hallet e mbi 4000 qytetarëve, të cilat janë kryesisht kërkesa sociale, të strehimit dhe punësimit”, ka thënë Haziri.
Më pas janë dëgjuar raportet e të gjithë drejtorëve të drejtorive të Komunës së Gjilanit, për punën e tyre që nga marrja e pozitës udhëheqëse.
Kryetari Lutfi Haziri, pasi ka dëgjuar raportet e secilit drejtor, ka bërë publike formimin e dy Task Forcave, atë për bujqësinë dhe për grumbullimin e listës së borxheve që i kanë qytetarët dhe subjektet ndaj Komunës, pas Task Forcës së themeluar më herët për menaxhimin e thatësisë.
Gjithashtu, në këtë mbledhë të Bordit është publikuar alokimi i 100 mijë eurove për rastet sociale, me të cilën do të merret Drejtoria e Shëndetësisë, që përfshinë renovimin, rehabilitimin, ndërtimin e shtëpive për skamnorët dhe rastet e rënda sociale. Këto mjete përfshinë edhe rastet më të rënda si të moshuarit, familjet me jetim dhe me probleme sociale që gjendja apo jeta i ka rënduar në këtë pozitë që janë.
Po ashtu, në 3 mujorin e parë janë ndarë 2.5 milionë euro për investime në infrastrukturë rrugore, kanalizime, ujësjellës, trotuare dhe ndriçim.
Komuna e Gjilanit ka konkurruar në 12 programe të donatorëve të ndryshëm, ndërsa në konferencën e donatorëve ka konkurruar me 4 projekte të regjionit lindje.
Projekti i parë që do të nis është rregullimi i varrezave të dëshmorëve, pastaj rregullimi i rrugës me 4 korsi nga rruga e Malishevës në drejtim të rrugës së Bujanocit.
Haziri e informoi Këshillin të Drejtorëve për hapin e madh për përfshirjen e Gjilanit në zonën e lirë ekonomike, ku Gjilani është qendër e mikro-regjionit të lindjes, Gjilan- Preshevë-Kumanovë, në të cilin marrin pjesë edhe 17 komuna të tjera.
Ai tha se në këtë fazë hyjnë edhe ndërtimi i shkollës së arteve dhe qendrës për rini.
Kryetari i Gjilanit ka thënë se si nevojë e realizimit të shpejt, është ndërtimi i dy çerdheve, njëra në Dardani dhe tjetra në qendër sepse duhet larguar nga objektet që janë me qira.
Projekt tjetër me rëndësi është Tregu i Gjelbër, ku do të themelohet ndërmarrja për tregjet në mënyrë që të bëhet modernizimi i atij lokacioni, në të cilin qarkullon një numër i madh i qytetarëve.
Projekti tjetër është ndërtimi i kinemasë së qytetit dhe zgjidhjes së problemit të statusit të Teatrit të qytetit, si dhe ndihmesa për kulturën, rininë dhe sportin.
Vendimi tjetër është vendimi për shpalljen e ankandit për shitjen e veturave të vjetruara pasi shpenzimet dhe mirëmbajtja e tyre rëndojnë buxhetin e Komunës.
Gjithashtu, Haziri ka informuar se ditëve në vazhdim do ta marrim vendimin që ushtrimin e pozitës së kryetarit, nënkryetarit dhe kryesueses për një ditë ta bëjnë fëmijët nga mosha 13 deri 17 vjeçare.
Haziri poashtu tha se që nga sot, ka nisur zhvendosja e stafit të zyrës së Kryetarit, për t’ia liruar objektin Muzeut të Gjilanit, e që ishte edhe premtim i tij nga fushata elektorale./rajonipress/