Haziri: Çdo Qeveri që formohet ia ka borxh Gjilanit infrastrukturën bazike

Gjilan – Kreu i Gjilanit Lutfi Haziri thotë për rajonipress se ende nuk po mund të fillojnë me projektet e mëdha dhe kapitale pasiqë po e presin formimin e Qeverisë së re. Haziri thotë se çdo qeveri ia ka borxh Gjilanit rregullimin e infrastrukturës bazike duke përfshirë autostradën Gjilan- Prishtinë dhe zgjerimin e rrugës Gjilan- Ferizaj dhe Gjilan- Bujanoc e Preshevë.
Edhe pse janë të parapara projektet e mëdha dhe kapitale për Komunën e Gjilanit, për shkak të moskrijimit të Qeverisë ato nuk mund të fillojnë edhe për një kohë. Kështu thotë Lutfi Haziri kryetar i Gjilanit raporton rajonipress.
Haziri tha se po e presin Qeverinë e re për të filluar pastaj me projektet e planifikuara dhe projektet bazike. “Ne tashmë kemi filluar me infrastrukturën bazike siç janë kanalizimet, ujësjellësit, trotuaret, rrugët e shumta duke përfshirë edhe lumin “Mirusha”.
Haziri thotë se çdo qeveri e re që krijohet ia ka borxh Gjilanit rregullimin e infrastrukturës bazike duke përfshirë këtu edhe autostradën Gjilan – Prishtinë, zgjerimin e rrugëve Gjilan – Ferizaj, Gjilan – Bujanoc e Preshevë. Më e pakta që mund të bëjë një qeveri për Gjilanin është borxhi që mund t`ia kthejnë përmes këtyre projekteve”.
Haziri thotë se komuna e Gjilanit është njëra ndër komunat që më së shumti paguan tatimet e taksat dhe realisht është pjesëmarrëse e madhe e të hyrave dhe financave në nivel qendror, ndërkohë që më së paku përfiton nga ai buxhet. “Ky diskriminim duhet të ndalet sepse Gjilani nuk e meriton këtë tretman nga Qeveria” tha Haziri./rajonipress/