Eko Higjiena

Haziri: Çdo ndërtim i paligjshëm do të trajtohet me të njëjtin standard

/ 6 minuta lexim
Eco Higjiena

Gjilan – Haziri i ka nxitur këshilltarët komunalë që ta denoncojnë në prokurori çdo rast që mendojnë se kanë fakte, duke përfshirë edhe atë, nëse, siç ka thënë ai, i kam legalizuar dikujt qoftë edhe një metër katror të ndërtuar në mënyrë të paligjshme. “Kompromis me ligjin nuk do të ketë”, ka thënë ai.

Kuvendi Komunal i Gjilanit, të enjten, në seancën e radhës për këtë vit, të drejtuar nga Valentina Bunjaku Rexhepi, kryesuese, pasi ka miratuar nismën e kryetarit të Komunës për ndarjen e 47 mijë eurove për teatrin e qytetit, ka diskutuar edhe për ndërtimet pa leje, që si kërkesë e opozitës, ishte futur në rend dite nga Komiteti për Politikë dhe Financa, me pajtimin edhe të partnerëve të koalicionit qeverisës, LDK, AAK e PD.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri ka thënë se teatrit të qytetit do t`i ndahen 47 mijë euro, deri në fund të dhjetorit, si zgjidhje për këtë vit, deri në gjetjen e një zgjidhje tjetër në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës.

Këto mjete në vlerë prej 47 mijë euro, vijnë nga vija buxhetore e Zyrës e kryetarit të Komunës dhe do t’i mbuloj të gjitha shpenzimet deri më 31 dhjetor 2015, përmes zbatimit të procedurave ligjore, ka thënë kryetari Haziri.

Gjendja në teatër, sikurse edhe çështja e ndërtimeve, u diskutuan në këtë seancë me kërkesën e opozitës, pika këto për të cilat ishte dakorduar në Komitetin për Politikë dhe Financa edhe partnerët e koalicionit qeverisës.

Kuvendi Komunal ka diskutuar me tone mospajtuese rreth ndërtimeve në Gjilan, pas informatës që ka prezantuar drejtori i Urbanizimit Valon Shefkiu, të cilat janë qetësuar dukshëm pas analizës së përgjithshme të gjendjes nga kryetari i Komunës.

Shefkiu ka thënë se të hyrat e kësaj periudhe të vitit arrijnë mbi 660 mijë euro, gjë nuk kanë qenë asnjëherë më të mëdha, ndërkohë që duke folur për akuzat e opozitës, ka shtuar se për moral nuk mund të flasin ata që ka ndërtuar vetë pa leje.

Riad Rashiti, në emër të grupit të këshilltarëve të PDK-së ka kërkuar formimin e një komisioni komunal, i cili do të kryesohet nga opozita (VV), për të bërë vlerësimin e gjendjes në sektorin e ndërtimeve dhe për t`i dhënë rekomandimet e veta.

Nevzad Isufi (VV) tha se ndërtimet nuk duhet të ndalohen, por kërkoi që mos lejohet cenimi i planeve urbane.

Mobi Casa

Pas një debati të gjerë ku motrën pjesë edhe Bujar Nevzati (PDK), Avdyl Aliu, Isa Agushi (LDK), Sahit Abazi (PDK), Nevzad Rushiti (LDK), Rexhep Kadriu, nënkryetar i Komunës (AAK) dhe të tjerë, që në disa momente u përshkua edhe me akuza personale, kryesuesja e Kuvendit Komunal e qiti në votim propozimin e opozitës për formimin e komisionit, por ky propozim nuk mori përkrahje të mjaftueshme.

Lutfi Haziri, kryetar i Komunës, ka thënë se kjo çështje zgjidhet në përputhje me ligjin dhe rregullore e jo me zhurmë e piskama. Ai ka thënë se në Gjilan nuk ka listë të ndërtuesve të rinj, që kanë ardhur në kohën e kësaj qeverisje, por janë po ata që kanë qenë edhe më përpara.

Por ai i ka siguruar këshilltarët komunalë se çdo ndërtim i paligjshëm do të trajtohet me të njëjtin standard, sikurse do të trajtohet edhe “Fidanishtja” si dhe rastet tjera që i përkasin periudhës së qeverisjes së kaluar dhe do të procedohen në prokurori. Në procedurën e rrënimeve, do të trajtohen njësoj si një objekt njëkatësh, po ashtu edhe ai dhjetë katesh.

Sa iu përket ndërtimeve në pronat private, Haziri ka thënë se ato nuk mund t`i ndalojë përderisa janë në përputhje me ligjin, por është shprehur i vendosur se nuk do të lejojë ndërtime afariste dhe banesore në pronën komunale, siç ka ndodhur në të kaluarën.

Haziri i ka nxitur këshilltarët komunalë që ta denoncojnë në prokurori çdo rast që mendojnë se kanë fakte, duke përfshirë edhe atë, nëse, siç ka thënë ai, i kam legalizuar dikujt qoftë edhe një metër katror të ndërtuar në mënyrë të paligjshme. “Kompromis me ligjin nuk do të ketë”, ka thënë ai.

Kryetari Haziri tha se personalisht ka vizituar raste në terren, për të cilat është folur në qytet se po ndërtohen pa leje, por nuk kanë rezultuar ashtu.

Edhe Valentina Bunjaku-Rexhepi, kryesuese e Kuvendit Komunal, kërkoi nga opozita që t`i paraqesin rastet nëse kanë fakte, duke iu rikujtuar se kështu mund të fitojnë edhe shpërblimin e Komunës prej 2 mijë euro, për lajmërim të korrupsionit dhe abuzimeve ligjore nga zyrtarët komunalë.

Në një sqarim të shkurtër, Valon Shefkiu, drejtor i Urbanizimit, ka thënë se të gjitha rastet që u përmenden nga opozita si ndërtime pa leje, në të vërtetë kanë leje.
Përndryshe, Kuvendi Komunal ka miratuar edhe rregulloren për kompetencat dhe përgjegjësitë e organeve të administratës komunale, planin strategjik lokal për trajtimin dhe parandalimin e korrupcionit, planin lokal të veprimit për riintegrim, vendimin për themelimin e grupit punues për hartimin e planit të punës së Kuvendit Komunal si dhe rekomandimin për riorganizimin e komiteteve.

Në pikën nën të ndryshme, kryetari i Komunës, është përgjigjur në të gjitha pyetjet e këshilltarëve komunalë, kryesisht të opozitës, duke thënë se investimet e vitit 2016, në Gjilan, do të jenë për herë të parë më të mëdha se buxheti i Komunës, që është rreth 22 milionë euro./rajonipress