Haziri: Abdullah Tahirin po e kthejmë në bronz për ta vendosur simbolikisht aty ku iu ndalua veprimtaria e tij

Gjilan – Nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, është mbajtur sot akademi përkujtimore në shënim të 20-vjetorit të rënies së kolosit të kombit, Abdullah Tahiri, ku kanë marrë pjesë përfaqësues nga jeta institucionale, deputetë të Kuvendit të Republikës, përfaqësues nga FSK, policia, Bashkësia Islame e Universiteti “Kadri Zeka”.

“Sot, shpirti i Abdullah Tahirit bën dritë sepse ka qenë njëri prej njerëzve që nuk ka pasur asnjë fije sherri në shpirtin dhe mendjen e tij. Ai nuk ka ditë me mendu ndryshe, por ka qenë i drejtpërdrejt e impulsiv. Ai ka shpërthyer gjithmonë kur ka dëgjuar padrejtësi dhe ka qenë në grupin e njerëzve të mirë, të njerëzve të mëdhenj që edhe me aktin e sakrificës së tij ka zënë vendin meritor në rreshtin e madh të kombit, e që sot i bënë roje lirisë së Kosovës. 20 vite pas lirisë, Abdullahun po e kthejmë në Gjilan në bronz, për ta vendosur aty ku u ndalua në mënyrë simbolike veprimtaria e tij”, ka thënë në fjalën e tij, kryetari Lutfi Haziri.

”Kam pasur fatin që të njihem me të në dy faza të rënda, prej vitit 1989 deri në burgosje, por edhe në fazën e burgosjes në burgun hetues të Gjilanit e kam kaluar bashkë me të, duke qenë pjesë e grupit të përbashkët të akuzuar për terrorizëm dhe veprimtari armiqësore nga regjimi i kohës. Jam krenar që këto dy veprimtari i kam kaluar me të. Lavdi e përjetshme”, ka shtuar Haziri.

Në emër të Zonës Operative të Karadakut, ka folur ish-komandanti Ahmet Isufi, ndërkaq në emër të veteranëve të luftës së UÇK-së ka folur Shaqiri Shaqiri, të cilët e vlerësuan lartë veprën e heroit Abdullah Tahiri.

Në këtë akademi e ka paraqitur biografinë e heroit të kombit Ramadan Myrta, ndërkohë që në fund, në emër të familjes Tahiri, ka folur djali i Abdullahut, Iliri, i cili e ka falënderuar kryetarin Haziri për iniciativën dhe përkujdesjen e vendosjes së shtatores së babait të tij. /rajonipress/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS

Vërejtje!

RajoniPress.com nuk do të botojë shkrime që nuk i përmbushin kriteret dhe standardet profesionale të gazetarisë bashkëkohore. Nuk do të ketë për askënd mbyllje apo censurë, por jemi të fokusuar që në këtë agjenci, lajmi, shkrimi, raporti, intervista dhe opinioni të plotësojnë kriteret profesionale. Gjithashtu opinionet, analizat, komentet, nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme).