Hazbi Gubetini më tepër se një dekadë në shërbim të shkollës shqipe në Kantonin Tiçino të Zvicrës

/ 5 minuta lexim

Hazbiu, lindi më 27 mars 1956 në Polonicë, fshat dy – tri kilometra në periferi të Podujevës.

Shkollën Fillore dhe atë të Mesme i kreu në Podujevë. Kurse, më 1 tetor 1976, nisi studimet në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës– Seksioni Pedagogji e Përgjithshme.

Ai, për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike krahas studimeve, u detyrua që të fillojë punën e mësuesit në Shkollën fillore “Kongresi i Manastirit” në Gllamnik, në paralelet e ndara në Sibovc dhe Buricë të Llapit.

Hazbiu, i cytur nga dashuria për profesionin e shenjtë të mësuesit paralelisht me punën diplomohet në Pedagogji.

Si një i ri i qetë dhe i vyeshëm me tërë qenien u mundua që me nxënës dhe kolegë të jetë korrekt dhe i afërt.

Sjelljet prej shoku dhe miku të vërtetë të Hazbiut, i kujtojnë këtu e katër decenie më herët edhe shokët e gjeneratës, dhe arsimtarët e tij të dikurshëm të gjimnazit ”Aleksandër Xhuvani” atëbotë gjimnazit“8 Nëntori”të Podujevës.

Pushtimi i Kosovës nga Serbia, dhe ndjekja e shqiptarëve nga vendet e tyre të punës do ta shtyjnë Hazbiun që t’i marrë në sy udhët e mërgimit, që asnjëherë s’ishin në planet e tij.

Ai, në janar të vitit 1989 me ndihmën e miqve të tij Emin dhe Milaim Qerimi, ky i fundit dëshmor i kombit vendoset në kantonin Tiçino të Zvicrës.

Përherë me mendjen tek vendlindja e braktisur mungesën e nxënësëve të tij të dikurshëm Hazbiu e ndjente shumë.

Duke i konsideruar ata tamam si fëmijë të tij ishte tepër i shqetësuar për të ardhmen e tyre nënokupim.

Si të mos ishte në ankth kur e dinte që dora gjakatare e kriminelëve serbë përveç mësuesve vriste pamëshirshëm edhe fëmijtë e pafajshëm.

Hazbiu, edhe pse bën tetë orë pune të rregullt për të mbajtur familjen prapë gjen kohë të lirë, për të kontribuar në nismat për çeljen e shkollave shqipe në kantonin Tiçino, në jug të Zvicrës.

Ai, së bashku me shokët e tij mërgimtarë: Mustafë Arif Kryeziu, Shyqeri Spahiu, Tush Dashi, Rexhep Latifi, dhe në konsultim me shumë prindër në fillim të viteve të 90-ta, e hapin Shkollën me Mësim Plotësues në Gjuhën Shqipe, në shtatë qendra të Zvicrës, italishtfolëse me gjithsej 200 nxënës.

Mobi Casa

Me kusht që puna të rrjedhë ashtu si duhet shumë shpejt formohen edhe organet drejtuese të Shkollës me Mësim në Gjuhën Shqipe, në shkallë kantoni.

Detyra e koordinatorit i besohet inxhinierit të ndërtimtarisë Mustafë Arif Kryeziu, me origjinë nga Peja. Ajo, e sekretarit ekzekutiv kolegut të tij të profesionit Shyqeri Spahiu, i adhur në mëgrim nga Dardana.

Gjendjen e arkës dhe donacionet e kohëpaskohshme të prindërve me mjaft profesionalizëm do t’i përcjellë aktivisti i palodhshëm Tush Dashi, biolog i diplomuar nga Klina.

Ndërkaq, detyrën e mësuesit me dashuri e pasion do ta bëjnë pedagogët e kualifikuar dhe me përvojë Hazbi Gubetini dhe Rexhep Latifi, nga Konçuli i Kosovës Lindore.

Ripërtëritja e kontratës së punës bëhej çdo vit akademik, me ç’rast lëshoheshin edhe Aktvendime nga Ministra e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, të Republikës së Kosovës.

Gjithashtu mësimi zhvillohej hëpërhë në përputhje me Planprogramet e hartuara nga kjo Ministri.

Hazbiu, në prak të pensionit të merituar si zakonisht i heshtur dhe larg propagandimit të punës së tij, të gjitha dokumentet nga puna mbi një dekadë me nxënësit e shkollës së Mësimit Plotësues në Gjuhën Shqipe, në komunat Biasca, Olovone, Roveredo, Giorniko i ruan me kujdes të veçantë.

Ai, i gëzohet faktit që shumica e nxënësve të tij kanë arritur rezultate të shkëlqyera, siç është rasti me ish-nxënësin e tij Dr. Albert Tush Dashi, i doktoruar në Kimi organike në Universitetin e Singapurit.

Hazbiu, duke mos lakmuar asnjëherë anën materiale detyrë parësore i kishte parashtruar vetvetes ngritjen dhe shkollimin e fëmijëve të tij.

Ai,synim të vetëm përherë e pati punën dhe të jetuarit ndershëm. Madje, shpeshherë e ripërësërit edhe thënien latine “Avari quamquam multa habent, tamen pauperes sunt”. Që në shqipe do të thotë: “Koprracët, edhepse kanë shumë, prapëseprapë janë të varfër”.

Mësuesi,Hazbi mendon që mundin e tij e kanë shpërblyer të pesë fëmijtë e tij.Ata të gjithë kanë diplomuar në Universitete dhe Shkolla të Larta të Zvicrës.

Hazbiu,me punën e tij të palodhshme do të kujtohet çdoherë si një edukator e prind shembullor.

Po ashtu, fëmijtë tanë mërgimtarë Hazbiun do ta mbajnë në mend si mësuesin që ua mësojë Alfabetin e Gjuhës së bukur shqipe, dhe trimërit e kryeheroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, si dhe prejardhjen e tyre pellazgo – ilire të mileniumeve./arif ejupi/rajonipress/