RCCOLA

Haxhiu: Për Hotin stabiliteti i karriges është me rëndësi, partitë të japin nënshkrimet për largimin e tij

/ 2 minuta lexim

Ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se për kryeministrin Avdullah Hoti, stabiliteti i karriges është më me rëndësi, pavarësisht se nuk po i kanë numrat që asnjë çështje ta shtyjnë përpara.

Duke komentuar deklaratën e Hotit sa i përket përfshirjes së PDK-së në Qeveri ku tha se koalicioni është stabil, Haxhiu ka thënë se koalicioni qeverisës në Kuvend nuk po i kanë numrat asnjë çështje ta shtyjnë përpara, madje as për projektligjet që sipas tyre janë më të rëndësishme nuk po arrijnë t’i bëjnë 61 vota.

“Hoti nuk ka mbështetje as në Kuvend dhe as nuk ka mbështetje qytetare. Secili kryeministër do të dorëhiqej ose do të kërkonte votëbesim”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

Ndryshe kryeministri Avdullah Hoti ka thënë sot se koalicioni qeverisës është stabil dhe nuk ka arsye për kombinime tjera qeverisëse.

Uji Dea

Hoti këto komente i bëri në konferencën e mbajtur pas mbledhjes së Qeverisë, pas pyetjes nëse janë të gatshëm të përfshijnë në koalicion edhe Partinë Demokratike të Kosovës.

Postimi i plotë i Haxhiut:

Hoti paska thënë që koalicioni është stabil anipse në Kuvend nuk po i kanë numrat asnjë çështje ta shtyjnë përpara, madje as për projektligjet që sipas tyre janë më të rëndësishme nuk po arrijnë t’i bëjnë 61 vota. Stabiliteti i karriges është me rëndësi për të.

Hoti nuk ka mbështetje as në Kuvend dhe as nuk ka mbështetje qytetare. Secili kryeministër do të dorëhiqej ose do të kërkonte votëbesim. Por, Hoti e do shumë pushtetin dhe nuk do ta bëjë asnjërën dhe as tjetrën prandaj duhet sa më parë partitë të japin nënshkrimet për largimin e kryeministrit, i cili jo vetëm që ishte përqafuar me Vuqiqin (siç kuptuam nga Presidenti Trump) i cili ka qenë krah i Millosheviqit e ka bërë gjenocid në Kosovë, por ka përqafuar edhe secilën kërkesë të Serbisë në zotimet e tija. /Telegrafi/