Haxhiu: Kjo Qeveri po i kushton shumë Kosovës
Mandati qeverisës i koalicionit LDK – PDK dhe Listës Serbe, apo siç u quajt para dy vjetëve “Koalicioni i elefantëve”, po kalon, ndërsa problemet po i grumbullohen.
Disa për arsye të brendshme e disa të tjerë nga faktorë të jashtëm shënojnë të paktën gjashtë probleme themelore me të cilat Kosova është ballafaquar viteve të fundit, shkruan “Zeri”.
Mosratifikimi i Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, mosliberalizimi i vizave, mosformimi i ushtrisë, problemet me listat e veteranëve, dështimi i implementimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe “tërmeti”, që pritet të shkaktohet së shpejti nga fillimi i punës së Gjykatës Speciale, janë dështimet kryesore për partnerët e koalicionit që kanë pasur shumicën absolute të ulëseve në Kuvend.
Deputetja e Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albulena Haxhiu, ka vlerësuar se Qeveria e Kosovës ka lënë shumë procese të rëndësishme anash, kurse ka kontribuuar në disa procese të tjera të dëmshme.
“Kosovës po i kushton shumë kjo Qeveri. Pasojat e saj janë të mëdha. Ajo ka lënë anash çështjen e ushtrisë, nuk ka bërë asnjë hap për ta luftuar korrupsionin e për t’i liberalizuar vizat teksa është munduar ta imponojë ‘Zajednicën’ e Demarkacionin me Malin e Zi, si dhe ka sjellë Gjykatën Speciale”, ka potencuar ajo për “Zerin”.
Sipas saj, Qeveria e tanishme po e izolon Kosovën, po ia rrezikon sovranitetin e integritetin territorial asaj dhe po e përlyen luftën çlirimtare.
Në vazhdim Haxhiu ka vlerësuar se Marrëveshja e Demarkacionit nuk është finalizuar si rezultat i rezistencës së qytetarëve dhe partive opozitare.
“Konsiderojmë se Demarkacioni nuk është finalizuar për shkak të rezistencës qytetare e opozitare, për shkak se si i tillë që është ia humb Kosovës 8200 hektarë dhe mirë që s’u realizua si projekt”, është shprehur ajo.
E sa i takon listave të veteranëve, sipas saj, këto lista janë karakterizuar me probleme, ngase pushteti ka futur militantë e familjarë nëpër to.
Ndërkaq, për proceset e tjera siç është liberalizimi i vizave e krijimi i ushtrisë, sipas deputetes së LVV-së, fajin e mbart vetë Qeveria.
“Vizat kanë ngecur sepse po bëhen vite që Kosova nuk bën më të voglin hap në luftën ndaj krimit e korrupsionit. Për Ushtrinë Qeveria nuk ka pasur vullnet dhe ka pranuar të kushtëzohet vazhdimisht nga Lista ‘Srpska’”, ka shtuar ajo./Zeri/.


