Haxhi Arifi: Greva dhe protesta nëse ngritët çmimi i rrymës

Kryesindikalisti i Kosovës, Haxhi Arifi, ka paralajmëruar greva dhe protesta nëse ngritët çmimi i energjisë elektrike. Sipas tij, ngritja e parë e çmimit dhe edhe kërkesa e dytë është e kundërligjshme pasi këto vendime duhet të kalojnë edhe përmes Parlamentit. Në një intervistë për Express, Arifi ka thënë se posa të funksionalizohet Parlamenti dhe të formohet Qeveria do të ketë veprime të fuqishme sindikale të koordinuara edhe me organizata tjera.
Express: Është paralajmëruar rritja edhe për 5 përqind të energjisë elektrike pas rritjes që ka ndodhur para pak ditësh. Sa e dëmton kjo konsumatorin kosovar kur dihet situata ekonomike e familjeve kosovare?
Haxhi Arifi: Pushtetarët nuk po e këqyrin se në çfarë gjendje janë qytetarët e Kosovës. Këtë situatë nuk janë duke e parë as KEK’u, as ZRRE. Çështja që më së shumti po i preokupon është që të marrin para nga ky popull dhe të rëndojnë jetën e qytetarëve të Kosovës. Kjo ngritje është paraparë para pesë-gjashtë muajsh, mirëpo, për të manipuluar me popullatën atëherë është paralajmëruar rritja për 10 përqind. Por, fillimisht e kanë ngritur pesë përqind për të bërë njëfarë mashtrimi optik dhe tash po tentojnë të bëjnë rritjen edhe për pesë përqind. Kjo është padrejtësi ndaj popullit dhe skamnorëve, të cilët po përballen me një papunësi. Edhe ata që punojnë me pagat që i kanë e kanë vështirë t’i përmbushin obligimet e përditshme që kanë ndaj familjeve të tyre. E, Zyra e Rregullatorit për Energji edhe në vendimin që e ka marrë – ata janë të pavarur – por i përgjigjen Parlamentit. Parlamenti nuk e ka dhënë as herën e parë pëlqimin për rritjen e çmimit të energjisë. Tash, s’kemi as Kuvend dhe në këtë situatë pa Qeveri e Kuvend, ZRRE po ndërmerr veprimet për ngritjen e çmimit të energjisë elektrike.
Express: Cila është përgjigja e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës në rast se ngritët çmimi edhe një herë i energjisë elektrike?
Haxhi Arifi: Kemi pasur një tryezë edhe me bizneset, me Odën Ekonomike të Kosovës, Odën Ekonomike Amerikane, AKB’në dhe disa OJQ. Iu kemi dërguar shkresë edhe ZRRE’së që të marrin pjesë dhe të na argumentoj edhe tarifat tjera të rritjes së çmimit të energjisë elektrike. Kërkesa jonë ka qenë që të rishqyrtohet edhe vendimi i parë i rritjes së çmimit dhe të gjenden forma tjera… Nëse merret edhe vendimi i dytë i tyre nuk është meritor pa e marrë aprovimin edhe nga Kuvendi. Mirëpo, BSPK do t’i rishqyrtoi të gjitha mundësitë dhe po duket se janë pjekur kushtet që pa dëshirën tonë të hidhemi edhe në greva dhe protesta.
Express: Pra, protestat dhe grevat i shihni si opsion për moslejimin e rritjes së çmimit të energjisë elektrike?
Haxhi Arifi: Ju kemi thënë edhe për vendimin e parë se nëse nuk kthehet në rishqyrtim kjo ngritje brenda natës dhe nuk e marrin miratimin e Parlamentit, atëherë le t’i presin protestat.
Express: Kush duhet të ndërhyjë në këtë rast apo duhet pritur ndërtimin e Qeverisë dhe Parlamentit të ri?
Haxhi Arifi: Normalisht, ZRRE po e shfrytëzon mungesën e Parlamentit dhe këtë vakuum institucional. Sepse ZRRE nuk duhet ta marrë këtë vendim sepse ZRRE është organ i pavarur dhe vendimet e saj duhet të kalojnë përmes Kuvendit të Kosovës. As vendimi i parë s’ka kaluar në Kuvend dhe as tash që s’kemi Kuvend. Këtë vakuum po e shfrytëzojnë për të ngritur çmimet e rrymës.
Express: Megjithëkëtë, janë dhënë disa arsyetime se kanë probleme, kanë harxhime dhe janë duke importuar energjinë elektrike. Nuk ju kanë bindur këto arsyetime se kanë të drejtë të kërkojnë ngritjen e çmimit të energjisë elektrike?
Haxhi Arifi: Këto arsyetime nuk na kanë bindur sepse qe 15 vite janë duke manipuluar me ngritjen e çmimeve dhe me mospunën e tyre. Edhe atëherë është thënë se ja duhet të që 5 blloqet e Kosovës A të rinovohen ose që Kosova A të rrënohet dhe të ndërtohet termocentrali i ri. Qe 15 vite vetëm sa e prolongojnë ndërtimin e termocentralit të ri për përfitime të tyre. Për humbjet që ndodhin në KEK duhet të gjejnë mënyrë tjetër t’i mbulojnë e jo përmes ngritje së çmimit sa herë atyre ju teket që ta shtojnë buxhetin e tyre.
Express: Kur pritet të ketë protesta? Në shtator, tetor apo tash?
Haxhi Arifi: Ne jemi duke pritur një organizim më të fuqishëm. Sepse ka ardhur momenti i fundit pasi pushtetarët tanë s’po dëgjojnë për kërkesat e qytetarëve, as të sindikatave, as të bizneseve dhe as të OJQ’ve. Ne jemi duke u përgatitur dhe pritet të ketë protesta dhe jemi edhe në pritje të formimit të Qeverisë dhe Kuvendit. Pas asaj, ne do t’i marrim masat tjera që i kemi paraparë.