Hasi: Kemi qenë të shkëlqyer, krenar për ekipin tim

Anderlechti i dha fund aventurës në Ligën e Kampionëve, duke e mbyllur fazën e grupeve në vendin e tretë. Trajneri shqiptar ka përgëzuar lojtarët e tij për paraqitjen e zhvilluar në këto gjashtë ndeshje.
“Jam i kënaqur dhe krenar për futbollistët e mi. Jemi një ekip me lojtarë të rinj në moshë dhe pa shumë eksperiencë. Gjithsesi, arritëm të vinim në vështirësi kundërshtarë shumë më të fortë dhe të renditemi në vendin e tretë. Kemi fituar më tepër përvojë, por që do ta vazhdojmë aventurën në Ligën e Europës”, u shpreh ish-futbollisti i kombëtares kuqezi.
“Këtë karakter dhe motivim që kam parë prej skuadrës, e dua edhe në kampionat. Nëse luajmë në njëjtën mënyrë, jam i bindur që do ta fitojmë sërish titullin kampion”, përfundoi Hasi.
Kujtojmë se klubi belg mbrëmë barazoi me rezultat prej 1-1 kundër gjermanëve të Borussia Dortmundit, me ç’rast siguroi një vend në Europa League. /Telegrafi/