Hashimi nis fushatën!

Nga Arbana Xharra- Hashim Thaçi ka nisur përgatitjet për zgjedhje, ai tashmë po kërkon votat. Çfarëdo qoftë plani i tij dhe rrethanat që e përcjellin, strategjia për t’ua shpëlarë trurin votuesve i ka ndezur deri më tash.
Taktikat me paga dhe shtrimin e rrugëve i kanë siguruar votat me shumicë, duke llogaritur edhe ato të vjedhura. Strategji tashmë e njohur: një mësues së paku pesë vota…! E kur llogariten rreth 25 mijë mësimdhënës atëherë kemi të bëjme me goxha një numër të madh të votuesve potencialë. Një rrugë në një katund po ashtu i siguron vota me thasë.
Nga deklarimet e tij të fundit shihet se Thaçi po përgatitet për zgjedhje. Ai premtoi rritje pagash për 50 për qind për mësimdhënësit dhe në këmbim të marrë votat që i sigurojnë pushtetin. Lajm fantastik për këtë shtresë të popullatës kur merret parasysh se në çfarë krize ekonomike është ky vend. Por, Thaçi as që po përmend një kategori të cilët nuk kanë peshë, dhe që janë pak në numër, por që janë në zor të madh për të ardhura, e ata janë pensionistët. Kryeministri as që i ka zënë në gojë, sepse e di shumë mirë se s’ka asgjë prej tyre. Është minimal numri i votave që mund të marrë nga kjo shtresë e cila që nga paslufta jeton me lëmoshë.
Një vit më parë me vendimin për rritjen e pagave të shërbyesve civilë prej rreth 23 për qind që e kishte premtuar në fushatë parazgjedhore gati se prishi keq raportet me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN), i cili bllokoi kredinë prej 110 milionë euro. Për të mos harruar se në dy vitet e fundit kemi në vazhdimësi rritje të inflacionit prej 7,5 për qind që realisht ka futur edhe më thellë në krizë ata që i ka manipuluar për vota.
Rritja në vazhdimësi e çmimeve të produkteve bazë, ka ulur ndjeshëm standardin dhe fuqinë blerëse, kështu që kemi të bëjmë me mashtrim kryekëput klasik përmes pagave.
Premtimi i këtyre ditëve për rritje prapë rrezikon ngrirje të raporteve me këtë institucion të rëndësishëm financiar.
Rritja e pagave me këtë përqindje do të thotë rritje e shpenzimeve me miliona euro e që rrezikon ta fusë buxhetin në deficit. Edhe ashtu deficiti është planifikuar të mbulohet me shitjen e PTK-së që do të thotë kemi një buxhet jo të qëndrueshëm dhe kur i shtohet fakti se kryesisht është shpenzues atëherë rrezikohet rëndë qëndrueshmëria buxhetore e Kosovës.
Disa ditë më parë një delegacion i FMN-së ka qëndruar rreth një javë në Kosovë duke dhënë sugjerime për planifikimet buxhetore të vitit 2013, duke u bërë me dije zyrtarëve që të ulin shpenzimet, por kur vjen puna te kolltuku i tij, te Thaçit bien në ujë të gjitha sugjerimet. Premtimet e Thaçit lehtë mund të kthehen në vendime, mjafton një fjalë goje e tij, por si do të mbulohen këto shpenzime? Mundësia më e afërt që të hyrat buxhetore të shtohen është rritja e tatimeve.
Ai lehtë mund të kërkojë të merret vendim rritja e TVSh-së duke u thirrur në normat e rajonit që janë më të larta sesa në Kosovë, kështu ngufat kontribuuesit më të rëndësishëm të buxhetit. Ky premtim i tij elektoral shkel edhe kornizën afatmesme të shpenzimeve, i cili nuk parasheh rritje të pagave edhe për dy vitet e ardhshme, kjo kornizë është miratuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.
Përkundër acarimeve me FMN-së dhe praktikës tashmë të njohur nga vitit i kaluar, kryeministri i përmbahet strategjisë së tij elektorale duke llogaritur në buxhetin jostabil të Kosovës.
Thaçi me taktikë ka nisur të përgatitë elektoratin duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë ekonomike që e ka shkaktuar qeverisja e tij. Tash i mbetet Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) që të mendojë për ngarkesat e reja për tatimpaguesit, sepse për ndryshe s’ka se si të paguajë pagat Thaçi.