Hashim Thaçi, për Kosovën dhe Shqipërinë: Ende nuk jemi bashkuar, por në atë rrugë jemi!
Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, një herësh edhe zëvendëskryeministër, Hashim Thaçi, në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut, është ngacmuar nga gazetari i televizionit “Klan” duke e pyetur se dikur ëndrra e madhe e kosovarëve ishte bashkimi me Shqipërinë, ndërsa sot ekzistojnë si dy vende të ndara. Madje, me kufij shumë të rreptë mes tyre duke e vështirësuar edhe më shumë lëvizjen e lirë.
Mirëpo, Thaçi që ka përdorur nofkën e tij të luftës “Gjarpri”, iu dredh pyetjes. Ai tha se Kosova e Shqipëria do të bashkohen.
“Ende nuk jemi bashkuar, mirëpo jemi rrugës. Jemi rrugës për t’u bashkuar brenda Bashkimit Evropian. Në familjen e madhe evropiane nga duhet të shkojë i gjithë rajoni. Dhe, Bashkimi Evropian nuk duhet të vonohet me Kosovën dhe t’i hapë më shpejtë rrugët e lëvizjes së lirë”, ka thënë ai.
Thaçi ka zbuluar sot se e ka refuzuar dy herë postin e presidentit në Kosovë që i ishte ofruar në vitin 2007 dhe në vitin 2009.
“Kam refuzuar postin e presidentit dy apo tri herë. Nuk e kam kërkuar asnjëherë këtë post”, ka thënë Thaçi.
Ndërkohë, ai ka zbuluar për herë të parë se posti i presidentit të Kosovës në vitin 2016, do t’i takojë PDK-së pasi që kjo i takon në bazë të marrëveshjes me LDK-në.
“Posti i presidentit do t’i takoj PDK-së. Ne do ta marrim vendimin më të mirë të mundshëm për vendin, kur të vijë koha. Nuk mund të them se a do të jem unë apo dikush tjetër. Gjithçka është caktuar dhe do t’i vijë koha gjithçkaje. Megjithatë, unë do të doja që presidenti të zgjidhet nga populli”, ka përfunduar ai, duke shtuar se në nëse ai do të zgjidhet president i Kosovës më 2016, do ta çoë mandatin deri në fund dhe nuk do ta lë atë në gjysmë për të kandidauar përsëri për kryeministër. /Zëri/


