Hashim Thaçi në SHBA: Do të mbesim të pakompromis në luftimin e terrorizmit
Zëvendëskryeministri Hashim Thaçi dhe Ministri i Integrimit Europian, Bekim Çollaku, kanë takuar Todd Chapman, Zëvendësi i Parë i Nënsekretarit në Zyrën për Çështje Politike-Ushtarake të Shteteve të Bashkuara, me të cilin kanë diskutuar për bashkëpunimin e Kosovës dhe SHBA’së në fushën e sigurisë dhe kompletimin e tërë strukturës së sigurisë të Kosovës.
Thaçi, njofton MPJ, ka deklaruar se Kosova është gati të formojë Forcat e Armatosura të Kosovës dhe se për këtë ka marrë pajtimin e NATO’s, ndërsa tani po kërkon edhe pëlqimin e Kuvendit të Kosovës.
Ai ka thënë se formimi i Forcave të Armatosura të Kosovës, përfshirja në programin e Partneritetit për Paqe dhe vendosja e dialogut politik me NATO’n, janë prioritet i Kosovës në fushën e sigurisë.
Temë bisedimi, siç thuhet në njoftimin e MPJ, ka qenë edhe lufta kundër ISIS dhe kundër radikalizmit, si dhe pjesëmarrja aktive e Kosovës në Koalicionin Global Kundër Terrorizmit ishin temë bisedimi.
“Ju sigurojmë se do të mbesim të pakompromis në luftimin e terrorizmit dhe radikalizmit”, ka deklaruar Zëvendëskryeministri Thaçi.
“Formimi i Forcave të Armatosura të Kosovës dhe thellimi i bashkëpunimit me NATO’n dhe partnerët e tjerë të Kosovës do ta konfirmojnë rolin që Kosova po luan tani si eksportuese e stabilitetit në rajon dhe më gjerë”.
Chapman, ndërkaq, ka thënë se bashkëpunimi i mirë që SHBA ka me Kosovën do të vazhdojë edhe më tutje dhe do të marrë forma edhe më konkrete të bashkëpunimit në të ardhmen.


