RCCOLA

Hasani: Propozimi i Borrell në përputhje me mandatin e tij, refuzimi i Kurtit sjell sanksione tjera

/ 9 minuta lexim
Uji Dea

Profesori i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare Enver Hasani në një intervistë për Gazetën Express ka komentuar përplasjet në relacionin Kosovë-BE dhe refuzimin e Kryeministrit Kurti për ta pranuar Propozimin e Borrell për implementimin e marrëveshjes. Hasani thotë se Përfaqësuesi i Lartë ka bërë diçka që është në përputhje me mandatin e tij – për çka ka pasur pajtim të palëve në Ohër. Sipas Hasanit, ajo që po bën Kryeministri është rezistencë e njëanshme dhe papranueshme. Ish-kreu i Gjykatës Kushtetuese thotë se refuzimi i planit të implementimin që tani u bë pozicion zyrtar i BE’së, do t’i sjellë Kosovës sanksione të reja. Megjithatë, Hasani në gjithë këtë sheh një lojë të Kurtit, që i dedikohet votuesve të tij Kurti po zbaton gradualisht zotimet që ka marrë përsipër në emër të Kosovës, sado fatale që janë.

Intervista e plotë:

Gazeta Express: Kurti ka akuzuar përfaqësuesin e lartë për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe emisarin për dialog, Miroslav Lajçak, se po mbrojnë interesat e Serbisë. Si i shihni deklaratat e Kryeministrit?

E. HASANI: Ajo që po bën Miroslav Lajçak nuk është asgjë tjetër veçse zbatim i përpikët i Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit, duke u bazuar në instrumentin për implementim të saj që u arrit në Ohër mes palëve. Sa i përket mënyrës së zbatimit të zotimeve që i mori përsipër në Bruksel zoti Kurti, më lejoni të kujtoj se në Ohër ai u pajtua për sa vijon: një, që mos të ketë renditje në zbatim të dispozitave dhe zotimeve nga Marrëveshja e Brukselit/Ohrit; dy, që për zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit do të themelohet një trup i BE-së që bën interpretimin përfundimtar të saj; dhe, së fundit, tre, që progresi për zbatim të Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit të raportohet në strukturat e BE-së me qëllim të vlerësimit të arritjeve të palëve në rrugëtimin e tyre drejtë integrimit në BE.

Gazeta Express: Kurti e dha një propozim më 14 Shtator për zbatimin e marrëveshjes. Cili është dallimi në mes të asaj që propozoi Borreli në Bruksel dhe propozimit të Kurtit?

HASANI: Dallimi është substancial. Ajo që bëri Borrell është në mandatin e tij dhe për këtë ka pasur pajtim të palëve në Ohër. Ajo që ka bërë Kurti është rezistencë ndaj zbatimit të zotimeve ndërkombëtare të marra përsipër në emër të Kosovës me vullnet të lirë. Qasja e Kurtit është e njëanshme dhe e papranueshme, sepse detyrimet ndërkombëtare që merren përsipër nuk mund të ndryshohen në mënyrë të njëanshme dhe as të iket nga zbatimi i tyre në mënyrë arbitrare.

Gazeta Express: Çfarë pasojash mund t’i sjellë Kosovës pranimi i propozimit të ndërmjetësuesve ose refuzimi i tij?

HASANI: Pranimi sigurisht që do të lehtësonte komunikimin e Kosovës me BE-në dhe do të ndikonte në heqjen e sanksioneve. Krejt natyrshëm pres që refuzimi i Kurtit të hasë në sanksionim të mëtejshëm të Kosovës brenda strukturave të BE-së, sepse një gjë e tillë është e përcaktuar me Marrëveshjen e Brukselit/Ohrit, ku vetë BE përmes trupave të saj bën vlerësimin e hapave që palët ndërmarrin në kuadër të dialogut të institucionalizuar në Ohër në mënyrë përfundimtare.

Gazeta Express A mundet Kosova t’i zhbëjë zotimet e marra në kuadër të dialogut të Brukselit?

E. HASANI: Jo. Asnjëherë. Ajo që mund të ndodhë është trashja e zotimeve ekzistuese, ato vetëm mund të marrin dimensione të tjera edhe më të rënda: sa më shumë të shtyhet realizimi i zotimeve të marra, aq me keq bëhet për vendin, sepse një ditë ato realizohen sipas termave që diktojnë të tjerët, jo ne.

Eco Higjiena

Gazeta Express: Kurti ka deklaruar se “ose do e zbatojmë marrëveshjen bazike të plotë ose nuk mund të zbatojmë atë që do Serbia”…

E.HASANI: Më lejoni të rikujtoj gjërat bazike që Kurti i ka marrë përsipër në emër të Kosovës, të cilat kanë qenë dhe do të dëshmohet se janë fatale për Kosovën dhe raportin e saj me bashkësinë ndërkombëtare, në veçanti në raport me strukturat euroatlantike. Kurti, në fillim, në Ohër u nis me shpresë se ka mësuar negocimin ndërkombëtar dhe pranoi një instrument ndërkombëtar që zbërthente detyrimet e Kosovës të marra në Bruksel. Doli e tha se udhëzuesi i Ohrit ngërthen njohjen de facto, që nuk ka qenë dhe nuk mund të jetë ashtu asnjëherë dhe se Kosova zbuti pasojat e formimit të Bashkësisë së komunave me shumicë serbe, meqë gjoja zëvendësoi atë me kategorinë e vetëmenaxhimit. Asnjëra nga këto nuk ka qenë e saktë.

Ajo që sot Kurtit i duket sikur anim nga Serbia i zotërinjve Borell e Lajçak, dhe që është e vërtetë, nuk ka nisur më 14 shtator, por në Ohër. Atë ditë që u bë publik teksti i instrumentit për implementim në Ohër, çdo jurist normal e ka pasur të qartë se teksti i tij në tërësi anon kah Serbia, me tendencë të theksuar për rikthim të sovranitetit të saj në Kosovë. Këtë Kurti atë ditë është dashur ta dijë, ose këshilltarët është dashur t’ia tregojnë, siç i kam treguar unë opinionit ditën e njëjtë përmes portalit tuaj dhe medies tjetër në vend dhe jashtë.

Ajo që ka ndodhur në Ohër, këtë do të duhej ta dinte Kurti, ka të bëj me katër aspekte që atij i ngelin në barrë dhe janë me pasoja fatale për sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës. E para, në preambulën apo hyrjen e tekstit të Ohrit nuk flitet për njohjen mes palëve të sovranitetit dhe integritetit të tyre territorial, por vetëm të atij të Serbisë: gjuha e përdorur aty është në vetën e tretë apo gjuhë neutrale, që i referohet vetëm shteteve që kanë sovranitet të plotë dhe të pa kontestuar në planin ndërkombëtar, që është Serbia e jo Kosova. E dyta, statusi i Kosovës është rihapur në raport me Serbinë, sepse në Ohër Serbisë i njihet e drejta për paragjykim të statusit në mënyrë të njëjtë siç i njihet vendeve të tjera mos njohëse në BE dhe jashtë saj. E treta, në Ohër ka ndodhur shndërrimi i Asociacionit në autonomi të plotë politiko-territoriale dhe personale për serbët e Kosovës , kishat dhe objekte te tyre të kultit dhe të historisë nacionale. Së fundi, e katërta, Serbia sipas Marrëveshjes Bruksel/Ohër nuk ka asnjë detyrim ndërkombëtar kundrejt Kosovës apo kundrejt bashkësisë ndërkombëtare: ato detyrime që i ka lidhur me të zhdukurit janë detyrime pa implikime ndërkombëtare, kurse çështja e mospendimit të Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare nuk mund të ketë sanksionim dypalësh, sepse asnjë organizatë ndërkombëtare nuk operon në mënyrë të tillë që varet nga vullneti i Serbisë për futje ose jo të Kosovë në gjirin saj.

Gazeta Express: A është reale njohja e Kosovës nga Serbia në këtë moment dhe çfarë do të thotë njohja de-facto të cilën e ka kërkuar Kurti në Bruksel?

E. HASANI: Kurti Ka hequr dorë nga njohja në Ohër, ditën që ka pranuar instrumentin udhëzues për zbatim të Marrëveshjes së Brukselit.

Gazeta Express: Kurti deklaroi se janë krijuar kushtet që BE-ja të heqë masat që i ka vendosur ndaj Kosovës. Si e komentoni këtë?

E. HASANI: Nuk vendos Kurti për këtë, por mekanizimi i krijuar në Ohër që mbikëqyrjen e zbatimit e zotimeve të marra nga Bruksel dhe Ohër. Ky nuk është negocim, procesi i Brukselit nuk është negocim. I tillë ka qenë deri në Ohër. Aty e tutje çdo gjë vendoset nga ata që me pajtim të palëve kanë marrë mandat për interpretim përfundimtar të dispozitave të Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit.

Gazeta Express: Si e shihni të ardhmen e dialogut?

E. HASANI: Ajo që shoh është një zbatim i zotimeve të marra nga ana e Kurtit, por duke i paraqitur ato si refuzime para publikut kosovar. Ky gjoja rezistim ka për synim paraqitjen e vetvetes si një lloj viktime, për të nxjerre fytyrën para votuesit të zakonshëm, në një kohë që vazhdohet me zbatimin e zotimeve në mënyrë graduale. Unë pres tani çdo ditë koncesione për pikat problematike, siç janë zgjedhjet në veri, depërshkallëzimi, raporti me serbët lokalë dhe kështu me radhë. Krejt veprimet e Kurtit janë për t’i treguar votuesit të vet se ai është i detyruar të pranoj çdo gjë. Këtu pajtohem me Kurtin. Gjithashtu kam mirëkuptim për Kurtin për sjelljen e tij më 14 shtator: i trishtuar nga ajo që pa në Bruksel, me të drejtë nisi të mbroj pozicionin e duhur të Kosovës. Ajo që nuk pajtohem me te është se tani është vonë, këtë është dashur ta bëj në Ohër: aty dhe atë ditë ai është dashur të tregoj qartë se pa njohje të ndërsjellë de jure nuk mund të shkohet para! Megjithatë, dialogu nuk ka alternativë dhe Kurti po zbaton gradualisht zotimet që ka marrë përsipër në emër të Kosovës, sado fatale që janë për perspektivën e Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur.