Fundamenti

Hasani: Korrupsioni dhe imazhi i keq i Kosovës, pengesë për investimet e huaja

/ 4 minuta lexim

Ballkani Perëndimor po shihet si vend atraktiv për të investuar nga kompanitë e huaja. Mirëpo në Kosovë ende hezitojnë të bëhen investime të mëdha. Këtë e thotë për Ekonomia Online, drejtoresha e Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare, Nora Hasani.

Ajo tha se Kosovën në investime po e penalizon imazhi i saj i keq.“Në krahasim me vendet e rajonit si Serbinë apo Maqedoninë, ne akoma nuk kemi arrit të tërheqim shumë investime gjermane në Kosovë dhe kjo nuk ka të bëj me kushtet që i ofrojmë ne si shtet, me qenë se jemi mjaft të favorshëm edhe akoma kemi kushte më të mira se rajoni”. “Mirëpo është vështirë që të i bindim kompanitë që të vijnë fillimisht këtu dhe të marrim informata që i nevojiten për të marr një vendim të investojnë apo jo. Ne e kemi imazhin e keq si shtet dhe duhet të punojmë bashkë ta ndryshojmë këtë dhe të japim informata sa më të sakta, korrekte dhe të ua plotësojmë pritshmëritë që i kanë nëse vijnë këtu për të investuar”, tha ajo.

Sa i përket investimeve gjermane, Hasani pohon se Ballkani Perëndimor është në fokus të këtij shteti. “…Sa i përket interesimit të ndërmarrjeve gjermane për të investuar në Kosovë, i tërë rajoni jonë është shumë atraktiv për ndërmarrje gjermane për të investuar, Ballkani Perëndimor dita ditës më shumë është duke qenë në fokus të ndërmarrjeve gjermane, kjo vje si rrjedhojë e procesit të Berlinit ku janë iniciuar disa aktivitete që t’i përkrahë ndërmarrjet gjermane që ta shohin Ballkanin dhe kompanitë që veprojnë në Ballkanin Perëndimor si partner potencial”, shtoi Hasani për Ekonomia Online.

Hasani tha se lajmet e këqija për Kosovën depërtojnë më lehtë në mediet gjermane, se sa ato të mirat. Ajo tha se në Gjermani ende mendojnë se në Kosovë ka atmosferë luftë dhe konflikte etnike.“Ndërmarrjet gjermane hezitojnë të vijnë në Kosovë sepse ne gjithmonë në media gjermane paraqitemi kur ka lajme të këqija, kështu që rrallë herë lajmet e mira depërtojnë në media gjermane, kjo është njëra prej arsyeve ku gjithmonë na lidhin me afera korruptive apo ngjashëm dhe akoma në kokat e shumë gjermanëve mbretëron ajo pyetja se a ka luftë në Kosovë apo kemi konflike etnike edhe pse kanë kaluar 20 vite që atëherë, duhet të bëjmë më shumë që të informohen korrekt jo vetëm ndërmarrësit por edhe qytetarët e rëndomtë se cilat janë zhvillimet e fundit që ka bërë Kosova gjatë këtij 20-vjetorit që nga mbarimi i luftës”, tha ajo.

Hidromorava

Drejtoresha e Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare tha se për Gjermaninë është i rëndësishëm zbatimi të ligjit dhe kontratave në Kosovë. Sipas saj, gjermanët i frikësohen Kosovës për shkak të korrupsionit të mundshëm në Kosovë.“Përpos imazhit ose që kanë frik nga korrupsioni i mundshëm , këta shikojnë aspektin ligjor se sa zbatohet ligji në Kosovë, sa zbatohen kontratat dhe menjëherë hasim pengesën e parë”, shtoi ajo për Ekonomia Online.

Ndërsa, Hasani tha se nuk ka informacione nëse ndonjë kompani e madhe pritet të investoj në Kosovë. Oda Gjermane në Kosovë fokusin e saj e ka në kompanitë e vogla dhe të mesme, pasi që edhe Kosova nuk ka kapacitet të sjellë kompani të mëdha në vend.“Ne si odë nuk kemi informata nëse një kompani shumë e madhe gjermane do vij të investoj në Kosovë, dua të jem e sinqertë, ne fokusin e kemi në kompani të vogla dhe të mesme, sepse Kosova është e vogël, shembull nëse një kompani shumë e madhe gjermane ka dëshirë të vij këtu dhe i kërkon 3 mijë inxhinierë ku ua gjejmë ata”, shtoi Hasani.

Hasani tha se roli i Odës Gjermane në Kosovë është që edhe kompanive kosovare t’u lehtësohet procedura për të eksportuar në Gjermani. Ajo tha se kompanitë kosovare ndihmohen për të gjetur lokacionin kur duan të hapin degë në Gjermani, u tregojnë për standardet e kërkuara që duhet të i ketë kompania në fjalë etj.