Hasani akuzohet për dy vepra penale

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, për veprën penale “Falsifikim i dokumentit zyrtar” dhe atë për “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”. Hasni e ka quajtur këtë hakmarrje ndaj tij.
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, do të përballet me drejtësinë kosovare për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Kjo, pasi Prokuroria Speciale e Kosovës të mërkurën ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, nën dyshimin se Hasani sa ishte në krye të Gjykatës Kushtetuese ka kryer dy vepra penale: “‘Falsifikim i dokumentit zyrtar’, nga Neni 434, paragrafi 1 i Kodit Penal të Kosovës dhe “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’, nga Neni 422, paragrafi 1 i Kodit Penal të Kosovës”.
“Sipas aktakuzës, i pandehuri Enver Hasani, në cilësinë e personit zyrtar, kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, më dashje duke e shfrytëzuar në mënyrë të kundërligjshme pozitën dhe autorizimin zyrtar me rastin e vendosjes për kërkesën e presidentes së Kosovës, lidhur me dekretin e saj, që kishte të bënte me emërimet e gjyqtarëve ndërkombëtarë në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, duke vepruar në kundërshtim me autorizimet e tij zyrtare, në mënyrë të kundërligjshme ka vendosur lidhur me rastin KO-155/14, duke nxjerrë aktvendim për papranueshmëri, nga i cili kanë përfituar në mënyrë të kundërligjshme mandatet shtesë si gjyqtarë ndërkombëtarë në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës tre persona”, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë Speciale./zeri/