Hasan Preteni: Luftimi i korrupsioni s’po jep rezultate

Gjyqësori në Kosovë nuk është në pozitë të lakmueshme dhe ende mungon rezultati në luftimin e korrupsionit.
Kështu tha drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni, në një intervistë për televizionin publik.
Preteni tha se derisa nga viti në vit janë duke u rritur kallëzimet penale ndaj personave zyrtarë, shumë pak ngrihen aktakuza e dënime nuk ka fare. Preteni kërkon që të bëhen publik emrat e zyrtarëve ndaj të cilëve ngrihen aktakuza. Ata sipas tij duhet të largohen nga pozitat e tyre zyrtare.
Preteni ka folur edhe për mosdeklarimin e pasurisë dhe deklarimin e rrejshëm. Ai tregon që shumë raste janë identifikuar dhe se agjencia është duke i siguruar provat për t’ia lehtësuar punën gjyqësorit. Preteni thotë se mosdeklarimi i pasurisë më së shumti ka të bëjë me bizneset.
Gjithashtu Preteni ka folur edhe për konfiskimin e pasurisë së paligjshme, duke theksuar se mungojnë konfiskimet e pasurisë që duhet t’i kthehen shtetit.
Sipas Pretenit, për tetë muaj janë ngritur mbi 100 kallëzime penale ndaj më shumë se 150 zyrtarëve.