UBT

Harrohet Selveri

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Prokuroria ende nuk ka asnjë informacion për dorasit dhe motivet e vrasjes me eksplozivë të Selver Haradinajt. Nëse deri në nëntor nuk ngrihet aktakuzë, rasti i vrasjes së tmerrshme të shqiptarit nga Veriu i Mitrovicës, sipas Kodit të Procedurës Penale, duhet të mbyllet.

Kanë kaluar 16 muaj që kur Prokuroria e Qarkut të Mitrovicës në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe atë të EULEX’it kanë nisur hetimet për vrasjen e Selver Haradinajt.

Pavarësisht kësaj, për vdekjen e dyshimtë të 38 vjeçarit si pasojë e shpërthimit që ndodhi në banesës e tij te “Tre Rrokaqiejt” në Veri të Mitrovicës, nuk ka as edhe një informatë të re.

Krejt ajo çka tha Kryeprokurori i Qarkut të Mitrovicës, Shqyri Syla për Express ishte se: “Hetimet po vazhdojnë”.

Ai madje mohoi të ketë ndonjë të dyshuar, e po ashtu tha se nuk dihet as motivi i sulmit, të cilën politika e quajti akt terrorist.

“Asgjë të re lidhur me këtë rast nuk kemi, mirëpo hetimet ende nuk janë mbyllur sepse ka ende kohë”, ishte përgjigja e Sylës.

E nëse merret për bazë ajo çka thuhet në nenin 159 të Kodit të ri të Procedurës Penale të Kosovës, Prokurorisë i kanë mbetur saktësisht edhe katër muaj kohë deri në kryerje të afatit ligjor për hetime. Pas këtij afati, nëse paraprakisht nuk ngritët aktakuzë apo ndodh ndonjë pezullim eventual, hetimi duhet të mbyllet. Derisa, ky afat ligjor, mund të ndryshojë vetëm në disa raste specifike me urdhër të Gjykatësit të procedurës paraprake për gjashtë muaj plus.

“Në rastet kur hetimi penal është i ndërlikuar, përfshirë por pa u kufizuar, kur ka katër apo më shumë të pandehur, janë identifikuar disa të dëmtuar, është bërë kërkesa për ndihmë juridike ndërkombëtare, apo ekzistojnë rrethana tjera të jashtëzakonshme”, thuhet në paragrafin edytë të nenin 159.

UBT

Në rastin e vrasjes së Selver Haradinajt nuk ka ndodhur as njëra as tjetra. Ndonëse kanë kaluar një vit e gjysmë që kur hetimet nisën zyrtarisht. E në vend të rezultateve konkrete, krejt çka ka deri më tani për rastin janë disa deklarata publike dhe premtime të përfaqësuesve të lartë të institucioneve shtetërore për zbardhjen e rastit. Derisa disa nga to shkaktuan edhe konfuzione edhe tek hetuesit e rastit.

Kujtojmë deklaratën e Ministrit të Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi. Ndonëse akti në kohën e kryer u pat cilësuar si terrorist, ai pati thënë se vrasësit e Selver Haradinajt nuk janë serbë. Madje këtë pohim pati thënë se po e bazon në disa analiza të bëra nga ndërkombëtarët.

“Këto nuk dihen 100 për qind. Por, dihet diçka. Që kjo nuk është bërë nga serbët. Këto janë të dhëna gati të sigurta sepse ne shpesh kemi qejf t’i paragjykojmë. Të gjitha analizat që janë bërë, nga ndërkombëtarët bashkë me EULEX’indhe Task Forcën, nuk shkojnë kah fakti se ai është vra nga serbët”, pati thënë Ministri Rexhepi.

Deklaratë kjo që u demantua kryekëput nga Prokurori Shqyri Syla.

“Ministri e ka marrë rolin e hetuesit. Nuk e di as kah i ka nxjerrë ato informata se vrasësit e Selver Haradinajt nuk janë serbë”, pati thënë kryeprokurori Syla për Express.

“Me bindje të plotë po e them se ne si në prokurori nuk e dimë se kush e ka vrarë. Hetimet për këtë vrasje akoma janë duke vazhduar dhe po e them publikisht që nuk dihet se kush e ka vrarë Selver Haradinajn, shqiptarët apo serbët”.

Ndryshe, shpërthimi në banesën e Selver Haradinajt ndodhi në mesnatën e 7 prillit të vitit të kaluar. Dyshohet se mjeti eksplodues nga i cili pësoi Selveri ishte një sasi e eksplozivit plastik, një bombë artizanale, me sasi të 500 gramë të eksplozivit plastik, e cila është vendosur tek xhamat e banesës së viktimës. Më pas është aktivizuar me fitil ngadalë-ndezës, të vendosur në parmakët e dritares së katit përdhese të familjes Haradinaj. Nga sulmi i cili u cilësua si akt terrorist, janë lënduar edhe bashkëshortja e Haradinajt dhe katër fëmijët e tij, të cilët ishin në gjumë kur ndodhi akti.

Asgjë të re lidhur me këtë rast nuk kemi, mirëpo hetimet ende nuk janë mbyllur sepse ka ende kohë”.(express)