Harambashët e Republikës, 92 milionë në gushën e të pangopurve
Qeveria e kryeministrit aktual, Ramush Haradinaj, vetëm gjatë 6-mujorit të parë të këtij viti i ka shpenzuar jo më pak se 92 milionë euro për mallra dhe shërbime. Sipas raportit financiar për 6-mujorin e këtij viti, shifrat na tregojnë se Qeveria e Kosovës për mallra dhe shërbime, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, ka një rritje të këtyre shpenzimeve për rreth 10 milionë euro.
Beqiri: Miliona euro në vit tjetërsohen brenda institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës, në forma të ndryshme
Qeveria e kryeministrit aktual, Ramush Haradinaj, vetëm gjatë 6-mujorit të parë të këtij viti i ka shpenzuar jo më pak se 92 milionë euro për mallra dhe shërbime. Sipas raportit financiar për 6-mujorin e këtij viti, shifrat na tregojnë se Qeveria e Kosovës për mallra dhe shërbime, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, ka një rritje të këtyre shpenzimeve për rreth 10 milionë euro.
Shpenzimet për mallra dhe shërbime përfshijnë shpenzimet e udhëtimit, shpenzimet e telekomunikimit, derivatet, mirëmbajtjen, qiranë e objekteve publike, blerjen e mobilieve dhe pajisjeve si dhe blerje të tjera. Sipas analistëve të ekonomisë edhe Qeveria ‘Haradinaj’ dhe të gjitha agjencitë buxhetore në Kosovë po vazhdojnë të keqmenaxhojnë, keqpërdorojnë dhe shpenzojnë pafundësisht paranë publike të qytetarëve të Kosovës. Deputeti i opozitës në Kuvendin e Kosovës, Salih Salihu, për “Kosova Sot” tha se në asnjë mënyrë nuk qëndrojnë vlerësimet e bëra nga zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, që po arsyetohen se këto para, prej më shumë se 92 milionë euro, shpenzimet janë bërë në pajtim për Ligjin për Buxhetin.”Përkundrazi jam i bindur se të gjitha këto shpenzime janë të shumta, sepse bëhet fjalë për shpenzime enorme të udhëtimit, shpenzimet e telekomunikimit, derivatet, mirëmbajtjen, qiranë e objekteve publike, blerjen e mobilieve dhe pajisjeve, si dhe blerje të tjera”, ka theksuar ai.
Tradita e zhvatjes
Sipas opozitarit Salihu, e tëra kjo po ndodh ngase në Kosovën e pasluftës është krijuar një traditë e keqe, pasi asnjëra nga qeveritë dhe institucionet publike nuk kanë krijuar qasje më pozitive në kursim të shpenzimeve publike dhe ulje të shpenzimeve të parave të buxhetit të vendit, por përkundrazi është krijuar tradita e zhvatjes së buxhetit.”Tashmë ka ardhur koha që edhe në Kosovë duhet të krijohet tradita e kursimit dhe uljes së shpenzimeve të parasë publike. Veç saj, edhe duhet që të punohet në rritjen e përgjegjësisë individuale të bartësve të funksioneve publike në çdo institucion të shpenzimit të parasë publike. Kurse ndaj keqpërdoruesve të parasë publike të merren mase ligjore imediate derisa keqpërdoruesit duhet që të ndëshkohen e të ndiqen penalisht”, vlerësoi ai. “Me këtë qeveri banditësh do të jetë kësisoj deri në rënien e qeverisë, sepse qëllim i tyre i fundit nuk është zhvillimi ekonomik i vendit dhe ngritja e mirëqenies së qytetarëve, por zhvatja sa më e madhe e buxhetit të vendit dhe parasë publike. Andaj sa më parë që kjo qeveri të largohet nga pushteti do të hapet e ardhmja politike dhe ekonomike e vendit tonë, posaçërisht për rininë që nga skamja dhe varfëria që e ka kapluar vendin janë të detyruar të ikin jashtë Kosovës”, ka thënë më tutje Salihu.
Kosova më e varfra, me zyrtarët më të paguar
Eksperti i ekonomisë, Lulzim Beqiri, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se shifrat na tregojnë se, sipas raportit financiar për 6- mujorin e këtij viti, Qeveria e Kosovës për mallra dhe shërbime ka shpenzuar 92 milionë euro dhe, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, ka një rritje të këtyre shpenzimeve për rreth 10 milionë euro.”Andaj, ne si tatimpagues nuk mund të lejojmë humbjen e parasë publike, përveç detyrës si tatimpagues për të mbrojtur paranë publike duhet të brengosemi edhe për investimin e saj, pasi që jemi dëshmitarë se investimet nga paraja publike shpesh keqmenaxhohen nga ana e shumë organizatave buxhetore”, vlerësoi ai.”Rritja e pagave për kabinetin e kryeministrit. Kostoja epagave të sektorit publik ka pasoja në politikat monetare dhe fiskale në Republikën e Kosovës dhe këto të fundit kanë gjithashtu një ndikim thelbësor mbi pagat e sektorit privat. Ky ndikim mund ta rrezikojë konkurrueshmërinë e ekonomisë dhe, nëpërmjet peshës së inflacionit, mund ta vërë në rrezik stabilitetin makroekonomik”, ka vlerësuar Beqiri.”Nga ana tjetër, rritja e pagës (për vetveten dhe vartësit e tij) nga kryeministri i Kosovës ka ngjallur reagime nga shoqëria civile, qytetarët dhe deputetet e Kuvendit, madje për pasojë kemi edhe një vendim nga Agjencia Kundër Korrupsionit, që rekomandon shfuqizimin e vendimit. Gjithashtu lënda është dërguar edhe në Gjykatën Kushtetuese për ta vërtetuar ligjshmërinë”, shpjegoi ai.”Nëse i analizojmë mirë pagat e liderëve të rajonit, atëherë Kosova qëndron në maje të pagës më të lartë, përveç Sllovenisë, që prin si shteti me pagën më të lartë për kryeministrin”, sqaron eksperti Beqiri.
Performancë e dobët, luks i jashtëzakonshëm
Ndërsa analisti i ekonomisë, Mustafë Kadriaj, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se me veprimet që po i bën qeveria aktuale do të mbahet mend si një qeveri e luksit dhe e shpenzimeve, përkundër performancës së dobët në qeverisje.”Fakti më i mirë është rasti i mbi 40 zyrtarëve të institucioneve të Kosovës me pjesëmarrjen në hollet e Kombeve të Bashkuara, pra pa agjendë, por vetëm duke i soditur burrështetasit e huaj dhe ndonjë fatlum prej tyre nëse mundet me ua dhënë dorën, sikurse ishte njeriu fatlum Behgjet Pacolli”, u shpreh ai.”Më e rënda është që ekonomia e ka marrë tatëpjetën dhe rinia kosovare nuk po e pret liberalizimin, prandaj për çdo ditë po kemi ikje për në vendet e Perëndimit, duke i lënë familjet e tyre me shpresë për ndonjë pagë më të dinjitetshme dhe jetë më të mirë”, vijoi më tej Kadriaj. Kurse bankieri Milazim Abazi për gazetën “Kosova Sot”, thotë se Qeveria aktuale është shumë aktive në të gjitha fushat krahasuar me qeveritë e kaluara, kështu që është e natyrshme të ketë shpenzime më të larta në mallra dhe shërbime. Por, sipas Abazit, është me rëndësi se krahas rritjes së shpenzimeve, me temp më të lartë të rriten edhe të hyrat buxhetore. “Kështu që nëse i krahasojmë të hyrat e këtij viti me të hyrat e vitit të kaluar, ato po shënojnë një rritje të konsiderueshme, edhe pse kemi një ulje të lehtë të taksave, sidomos kemi ulje dhe lirime nga taksat për prodhuesit vendorë, kur janë në pyetje lëndët e para dhe makineritë e prodhimit, si dhe teknologjisë informative”, vlerësoi më tutje Abazi.
Abuzim i madh me financat e shtetit
Eksperti i ekonomisë, Dardan Grapci, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se vërtet është një mister se ku shkuan këto 92 milionë euro. “Kjo pasi që Qeveria e Kosovës, e cila e ka obligim ligjor dhe kushtetues monitorimin e financave shtetërore, por si po duket vetë qeveria po i keqpërdor këto mjete, duke i dhënë hapësirë, duke filluar nga Presidenti e deri tek kabineti qeveritar, të cilët për qejfet e tyre udhëtojnë, shpenzojnë, blejnë dhe flenë nëpër hotelet luksoze me paratë e qytetarëve, ngase të shpenzosh madje 92 milionë euro vetëm për 6 muaj vërtet është shumë dhe e tepërt”, vlerësoi ai. Grapci pyet se si ka mundësi që qeveritarët e Kosovës të jenë aq lakmitarë, saqë me paratë e popullit po bëjnë jetë luksoze, kurse paratë e tyre i ruajnë nëpër banka, thuajse do t’i marrin me vete kur të vdesin. “Përse Qeveria ‘Haradinaj’ asnjëherë deri më tani nuk ka dalë me ndonjë raport publik se ku i kanë shpenzuar ato para dhe për t’u treguar deputetëve tjerë të opozitës, por edhe qytetarëve tanë se ku janë harxhuar këto 92 milionë euro”, vlerësoi ai.”E kam një parandjenjë të keqe se nëse kjo qeveri edhe më tej me këtë temp vazhdon t’i harxhojë paratë e popullit për udhëtimet personale dhe duke i shpenzuar nëpër hotelet luksoze mendoj se qytetarët tanë në shenjë revolte duhet që të rebelohen dhe më nuk do të duhej që të paguajnë tatimin, rrymën, TVSH-në, ujin etj., dhe gjithçka tjetër që është në disponim të shtetit”, alarmon Grapci.
KOSOVA SHTYHET ME SLLOVENINË!
Sipas të dhënave në media, këto janë pagat sipas shteteve të Ballkanit Perëndimor. Kryeministri i Sllovenisë: 4.500 euro, kryeministri i Kosovës: 2.950 euro, kryeministri Kroacisë: 2.600 euro, kryeministri i Shqipërisë: 1.700 euro, kryeministri i Maqedonisë: 1.300 euro, kryeministri i Malit të Zi: 1.130 euro, kryeministri i Bosnjës dhe Hercegovinës: 1.070 euro, kryeministri i Serbisë: 1.000 euro.
SHTYPET SEKTORI PRIVAT, KEQPËRDORET PUBLIKU
“Sektori privat mbetet më i diskriminuari ndër sektorët në Kosovë. Në vitin 2012 paga neto mesatare në sektorin privat ishte 333 euro dhe për 5 vjet kishte një rritje prej vetëm 0.80 euro në vit, gjë që nuk do koment: ky sektor ka mbetur në mëshirën e fatit. Vetëm në vitin 2017 në sektorin privat jetën e kanë humbur në vendin e punës mbi 17 punëtorë, pa gëzuar as edhe ndihmën elementare nga shteti”, tha Lulzim Beqiri për “Kosova Sot”.”Me miliona euro në vit tjetërsohen brenda institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës, në forma të ndryshme, që nga dyfishimi i çmimeve për një produkt të blerë e deri te keqmenaxhimi i projekteve madhore, manipulohet edhe me komplekset memoriale, raste që çdo ditë raportohen në media të shkruara dhe elektronike. Pasojat ekonomike që dalin nga keqmenaxhimi dhe keqplanifikimi i parasë publike janë shumë evidente në Republikën e Kosovës, kjo tregon se taksat e tatimpaguesve kosovarë humbin si pasojë e faktorit njeri, shpenzimi i parasë publike duhet të bëhet në mënyrë më efikase efektive dhe me një transparencë më të madhe”, u shpreh Beqiri.
(Kosova Sot)


