Uji Dea

Haradinaj: Zgjedhjet të mbahen brenda dy muajve

/ 4 minuta lexim

Kryeministri në dorëheqje i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se duhet të respektohen afatet kohore për mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

Sipas Haradinajt, nuk ka arsye që mbajtja e zgjedhjeve të vonohet.

Në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, Haradinaj po ashtu tregon arsyet që e çuan atë që të heqë dorë nga posti i shefit të ekzekutivit, duke thënë se bëhet fjalë për intervistë nga Dhomat e Posaçme dhe se nuk bëhet fjalë për ndonjë aktakuzë.

Ai është pyetur edhe rreth asaj se kush mund të jenë të intervistuar tjerë.

“E di prej njoftimeve të mëhershme që ka pasur disa të ftuar. Nuk di a do të vazhdojë apo sa do të jenë. Unë kam marrë ftesë, i përgjigjem, pra kryej obligimet e mija ligjore që më takojnë, por ka qenë për mua e papranueshme që kryetarin e Qeverisë, në këtë rast shefin e ekzekutivit dhe sovranitetin – sepse unë jam shef i ministrit të Mbrojtjes, i ministrit të Rendit, i Drejtësisë – nuk kam mundur ta çoj shtetin para hetuesve. Për këtë arsye edhe kam dhënë dorëheqje, pra që ta ruaj nderin e shtetit dhe të kryetarit të Qeverisë. Ne jemi shtet i ri, por po krijojmë, ta quaj, doktrinën e shtetit tonë dhe nuk kam dashur që Kosovës t’i shkruhet në një moment të caktuar. Pastaj, ka të bëjë edhe me nderin tim personal, nderin e luftëtarit shqiptarë. Unë e kam dëshmuar pafajësinë dy herë edhe për këtë arsye e kam marrë këtë vendim”.

UBT

Ai më tej është pyetur rreth asaj se derisa ndërkohë që qeveria është në dorëheqje, cilat veprime duhet të ndërmerren në Prishtinë që vendi të shkojë në zgjedhje apo të ketë ndonjë përpjekje për formimin e qeverisë së re.

“E para – që është shumë me rëndësi – si qeveri në dorëheqje, nuk duhet të lejojmë vakuum, nuk duhet të lejojmë çfarëdo parregullsie, qoftë të qeverisjes, qoftë ligjore, ose jostabilitet. Për fat të mirë, gjendja është stabile në Kosovë, pra është funksionale dhe jeta vazhdon. Jemi në demokraci. Kushtetua jonë ka paraparë veprimet e nevojshme në këto raste. Unë tash po i finalizoj letrat formale për presidentin dhe për kryeparlamentarin. Pastaj, Parlamenti mund të vetëshpërbëhet në një datë të caktuar ose presidenti mund të propozojë shpërbërjen e Parlamentit dhe shkuarjen në zgjedhje. Arsyeja përse unë kam kërkuar të shkohet në zgjedhje është se besimin e kam kërkuar nga populli kur e kam marrë mandatin për kryetar të Qeverisë. Kam menduar se mandati më i sigurt në këto raste është nëse ia kthen sovranit, popullit. Mendoj qe zgjidhje e drejtë është shpallja e zgjedhjeve të parakohshme në këtë rast, në bazë të afateve kohore kushtetuese e ligjore. I ftoj qytetarët e vendit që të marrin pjesë në proces zgjedhor dhe ta respektojnë atë vendim që e jep sovrani”, ka thënë tutje Haradinaj.

Në këtë drejtim Haradinaj është pyetur edhe rreth afateve kohore.

“Nuk besoj se ka arsye të vonohet shumë. Është me rëndësi, jo sepse ka vakuum qeverisës, por që t’i jepet sovranit mundësia për të vendosur sa më shpejt. Nuk bën që t’i vonohet popullit e drejta për të vendosur për më tutje. Do të ishte me rëndësi që në afatet kohore – diku rreth dy muaj – të ndodhin zgjedhjet. Kështu janë ato dinamikat prej këtu e tutje. Shpresoj të rrjedhin kështu. Kohë merr edhe konstituimi i Parlamentit pastaj, edhe formimi i qeverisë së ardhshme. Është me rëndësi që të gjitha këto të ndodhin në afate të duhura kohore”, ka thënë ndër tjerash kryeministri në largim, Ramush Haradinaj. /Telegrafi/