Fundamenti

Haradinaj vizitoi fabrikën e vajit “Floil” dhe atë të përpunimit të mishit “Kalabria”

/ 3 minuta lexim
Fundamenti

Gjilan – Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në kuadër të vizitave që po u bënë kompanive prodhuese vendore, gjatë qëndrimit në Gjilan ka vizituar edhe fabrikën e lëngjeve “Fluidi” dhe vajit “Floil”.

Kryeministri Haradinaj tha se është një kompani e cila e ka fituar besimin e konsumatorëve në shumë produkte, në lëngje të njohura, por ajo që është premtuese është vaji ushqimor “Floil” i cili e ka fituar besimin e konsumatorëve të Kosovës.

“Fatmirësisht ka rritje në prodhim, në punësim, dhe ky është një lajm i mirë. Dëshiroj t’u them qytetarëve të Kosovës se kemi të bëjmë me teknologjinë më të avancuar që ekziston sot në botë, me kushte më të avancuara të prodhimit dhe me njerëz të kësaj toke që e duan konsumatorin dhe janë të kujdesshëm dhe për këtë arsye “Floil” është vaji më i mirë që e kemi në tregun tonë”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se ky vaj jo vetëm se është i vendit, por është edhe me çmimin më të arsyeshëm.

Fejzullah Mustafa, pronar i kompanisë “Floil” dhe “Fluidi” , tha se ishte kënaqësi ta kishin në vizitë kryeministrin Haradinaj, me të cilin ka biseduar për ecurinë e prodhimeve dhe ndikimin pozitiv të taksës, duke thënë se që nga hyrja në fuqi ka pasur rritje të prodhimit, sidomos te vaji “Floil”.

UBT

“Kjo taksë ka ndikuar pozitivisht te konsumatorët, sepse ata kanë kuptuar se duhet të konsumohen produktet vendore dhe me këtë do të fitojë shteti i Kosovës, do të zhvillohet ekonomia jonë”, tha Mustafa.

Në vizitën që i bëri fabrikës së përpunimit të mishit “Kalabria”, kryeministri Haradinaj tha se kjo fabrikë ka pasur traditë dhe është ruajtur edhe zëri i mirë i njerëzve që kanë punuar, edhe tani me sjelljen e teknologjisë dhe ekspertizës së re.

“Produktet e kësaj kompanie janë të besueshme dhe më vjen mirë që në treg dalim më lirë sesa produktet e huaja dhe për nga kualiteti janë më të mira sesa ato që i importojmë”, tha kryeministri Haradinaj.

Xhelal Selimi, pronar i fabrikës “Kalabria” falënderoi kryeministrin Haradinaj për vizitë, duke e njoftuar nga afër me punën që bënë kjo fabrikë, e cila merret me përpunimin dhe prodhimin e produkteve të mishit./rajonipress/