Haradinaj: Thaçi e Mustafa nuk e kanë gjatë
Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, planin qeverisës të Isa Mustafës nuk e quan as plan, duke thënë se gjendja është e vështirë dhe se Qeveria duhet të realizojë takime e jo të strehohet në Facebook.
“Po shkojnë 100 ditë të qeverisjes dhe nuk po shohim plan qeverisës, por po shohim që ka ma pak njerëz në vend, më shumë sfida dhe shumë probleme tjera”, ka theksuar Haradinaj në emisionin politiko-satirik ‘Rrokum Roll’ me Fidan Jupollin në TV Rrokum. “Kryeministri i vendit është njeriu i cili në ditën kur ka marrë postin, ia burgosën një të afërm; kryeministri është njeriu i cili ka mbi 70 dosje në vend; është njeriu i mafisë së ndërtimeve në Prishtinë dhe njeriu i cili si u bë kryeministër 100 mijë njerëz ia kanë lëshuar vendin”.
Kreu i AAK-së ka deklaruar se kulaçin e përgjegjësisë në tetë vitet e fundit “më së shumti e ndajnë PDK e LDK”.
Sa i përket Gjykatës Speciale, ai ka theksuar nuk do të votohet nga partia e tij. Ndërsa, fajëson edhe presidenten e vendit, Atifete Jahjaga se nuk arriti të bëjë ndryshime në Kosovë, “ngase ishte e zënë peng nga kreu i PDK-së, Hashim Thaçi”.
“Për një kohë ata kanë bashkëpunuar se bashku”, thotë Haradinaj, i cili deklaratën e Thaçit për ta paditur Serbinë për gjenocid e cilëson joserioze.
“Kjo ka mundur të ndodh 15 vjet më parë”, deklaron Haradinaj.
Sipas tij, ngërçi gjashtëmujor politik nuk e ka sjellë ikjen e qytetarëve, por “zhgënjimi me mos ndryshimin e pritur prej qytetarëve”.
Kreu i AAK-s ka thanë se Hashim Thaçi e Isa Mustafa e kanë mundur veten ngase nuk do të durohen gjatë nga populli. Ndërsa, paralajmëron edhe mundësinë e organizimit të protestave antiqeveritare.
Ai u ka uruar sukses atyre që janë larguar nga AAK, duke shtuar se fjala është për individë e jo degë e nen-degë të partisë. /Rrokum/Telegrafi/


