Haradinaj takoi kryeministrin malazez, flet për demarkacionin Kosovë – Mal i Zi
Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, ka takuar sot homologun e tij nga Mali i Zi, Dushko Markoviç. Gjatë këtij takimi dy kryeministrat komentuan çështjen e demarkacionit me malin e zi të cilën e quajtën çështje të hapur, raporton “Zëri.info”.
“Ne do të shkojmë me qëllimin më të mirë shkojmë me etapa të tjera të punës besoj që çdo paqartësi do të qartësohet. Në bazë të dakordimit të ndërsjellë do t’i zgjidhim së bashku çështjet e hapura”, theksoi Haradinaj.
Në konferencën pas takimit Haradinaj shtoi se ardhja e kryeministrit malazez është porosi se marrëdhëniet Kosovë-Mal i Zi do të thellohen edhe më tej për të mirë, raporton “Zëri.info”.
“Ardhja e tij i ka dy porosi në Kosovë, një është qendra për zhvillim e malazezëve në Kosovë është porosi se malazezët janë në shtëpinë e tyre në Kososvës dhe tjetra inaugurimi i autoudhës që lidh Kosovën me rajonin. Biseduam për të gjitha temat bilaterale. Besoj që marrëdheniet Mal i Zi-Kosovë do të thellohen më tej për mirë”, ka thënë ai./Zëri/
Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj priti në takim kryeministrin e Malit të Zi, Dushko Markoviq.
Me këtë rast, kryeministri Haradinaj tha se, ardhja e kryeministrit Markoviq, i ka dy porosi sot në Kosovë, si, hapja e Qendrës për Zhvillim e Malazezëve në Kosovë, e cila u inaugurua në mëngjes, si porosi që malazezët e Kosovës janë në shtëpinë e tyre në Kosovë dhe do ta kenë përkrahjen e Qeverisë dhe institucioneve të Kosovës dhe, është inaugurimi i autorrugës, që lidh në këtë rast rajonin, lidh Kosovën me Maqedoninë, por lidh edhe Maqedoninë me Shqipërinë, Maqedoninë me Malin e Zi.
Kryeministri Haradinaj, gjatë takimit ka biseduar për të gjitha temat bilaterale, duke besuar që marrëdhëniet Kosovë-Mal i Zi do të thellohen edhe më tutje për qëllimet e njëjta euroatlantike.
Kryeministri Haradinaj e ka njoftuar homologun malazez për të gjitha zhvillimet e fundit në vend, sundimi i rendit dhe ligjit, progresin ekonomik, infrastrukturor dhe reformat e përgjithshme në vend.
Në këtë takim Kryeministri Haradinaj potencoi rëndësinë e madhe që ka bashkëpunimi dhe partneriteti me vendet e rajonit, në të mirë të zhvillimit të këtyre vendeve dhe të ardhmes së përbashkët evropiane.
Kryeministri Haradinaj theksoi se Kosova është e përkushtuar që të avancojë me marrëdhënie bilaterale me Malin e Zi edhe në fusha të interesit të përbashkët dhe takimi i sotëm është dëshmi e fortë e këtij orientimi.
Ndërkaq, kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq, tha se ka kënaqësinë që me kryeministrin Haradinaj të bisedojë për raportet bilaterale në mes dy shteteve dhe, hapja e Qendrës Zhvillimore, është dëshmi e një miqësie thelbësore dhe të përhershme me Kosovën, si respektim i vlerave të tyre, që janë vlerë e përbashkët euroatlantike dhe multietnike mes dy vendeve.


