Haradinaj: Spektakli dashakeq me dosjet e Speciales

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka shprehur shqetësimin lidhur me zhvillimet e fundit që kanë të bëjnë me dosjet e Gjykatës Speciale, të cilat po dorëzohen në OVL të UÇK.

Haradinaj, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “zhvillimet e fundit rreth kësaj teme, që po ushqejnë debatin mediatik, nuk i ndihmojnë Kosovës, të vërtetës së saj, dhe drejtësisë vendore e ndërkombëtare”.

“Kushdo që hasë në dokumente sensitive të hetuesisë e gjykatave, duhet menjëherë t’ia dorëzojë institucioneve përgjegjëse, e jo të ushqejë vazhdimin e spektakleve mediatike që dëmtojnë zhvillimin e drejtësisë dhe zbatimin e ligjit për të gjithë”, ka thënë Haradinaj.

Postimi i plotë i Haradinajt:

“Me shumë shqetësim po ndjek spektaklin dashakeq të Dosjeve – që po e krijon padrejtësisht përshtypjen se Kosova është rreshtuar në anën e kundërt të drejtësisë!

Zhvillimet e fundit rreth kësaj teme, që po ushqejnë debatin mediatik, nuk i ndihmojnë Kosovës, të vërtetës së saj, dhe drejtësisë vendore e ndërkombëtare.

Kushdo që hasë në dokumente sensitive të hetuesisë e gjykatave, duhet menjehëherë t’ia dorëzojë institucioneve përgjegjëse, e jo të ushqejë vazhdimin e spektakleve mediatike që dëmtojnë zhvillimin e drejtësisë dhe zbatimin e ligjit për të gjithë.

Kosova si viktimë përballë agresorit,

UÇK-ja, dhe populli i Kosovës janë angazhuar gjithmonë për t’u pozicionuar në anën e drejtësisë, të vërtetës, dhe të drejtës ndërkombëtare. Kështu do të mbetet gjithmonë!”, ka shkruar Haradinaj.

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dy herë brenda këtij muaji ka pranuar materiale që kanë të bëjnë me Gjykatën Speciale për krime lufte në Kosovë.

Përfaqësues të saj thanë se nuk kanë arritur t’i identifikojnë personat që i kanë dorëzuar këto dokumente.

OVL e UÇK-së pretendon se i janë dorëzuar dosje të Gjykatës Speciale në mënyrë anonime. /Telegrafi/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS

Vërejtje!

RajoniPress.com nuk do të botojë shkrime që nuk i përmbushin kriteret dhe standardet profesionale të gazetarisë bashkëkohore. Nuk do të ketë për askënd mbyllje apo censurë, por jemi të fokusuar që në këtë agjenci, lajmi, shkrimi, raporti, intervista dhe opinioni të plotësojnë kriteret profesionale. Gjithashtu opinionet, analizat, komentet, nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme).