Haradinaj: Shtyrja e liberalizimit, pasojë direkte e padijes së Qeverisë dhe kryeministrit inatçor

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka fajësuar Qeverinë e Kosovës, të cilën ai e ka quajtur të “korruptuar”, për shtyrjen e votimit për liberalizimin e vizave.
“Lajmi i keq është Qeveria e korruptuar e Kosovës. Qeveri e cila pa asnjë kuptim ka bërë një marrëveshje që humb mbi 8 mijë hektarë të territorit dhe pastaj edhe më pakuptueshëm e ka zvarritur për gati një vit rishikimin e demarkacionit”, ka shkruar Haradinaj në faqen e tij zyrtare në Facebook.
“Prandaj, edhe vonesat eventuale të liberalizimit janë pasojë direkte e padijes së kësaj Qeverie dhe një kryeministri inatçor. Pse e ka humbur gati një vit kjo Qeveri, nuk ka asnjë lloj kuptimi. Demarkacioni duhet të rishikohet, prandaj humbja e kohës është faturë krejt e panevojshme që po e paguajnë qytetarët për këtë qeveri pa lidership”, vlerëson Haradinaj në shkrimin e tij, transmeton Gazeta Express.
“Që nga Maji i vitit 2015, kur kam inicuar interpelancë në Kuvend për demarkacionin, jam munduar të kontribuojë në zgjidhjen e drejtë të kësaj çështjeje. Por, fatkeqësisht, kemi të bëjmë me një Qeveri inatçore dhe të pavizion”, ka shkruar Haradinaj në rrjetin social.
Ai ka thënë se Kosova e meriton liberalizimin e vizave dhe që demarkacioni të mos e dëmtojë territorin e saj. “Qeveria është përgjegjëse para popullit, pse nuk ka ndodhur as njëra as tjetra”, thuhet në shkrimin e Haradinajt në Facebook. /Express/