Uji Dea

Haradinaj: Serbia ta ndal gjuhën kërcënuese ndaj vendeve njohëse, mos të harrojë që ka një marrëveshje

/ 2 minuta lexim

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se gjuha të cilën është duke e përdorur Serbia, është gjuhë e cila i ka shkaktuar tragjeditë, plagët e të cilave po i vuajmë ende.

Haradinaj ka thënë se kjo gjuhë i takon të kaluarës.

“Serbia po flet me gjuhën e të fuqishmit dhe po kërcënon vendet e rajonit që e kanë njohur Kosovën, dhe po paralajmëron edhe vendet e tjera që do ta njohin Kosovën. Kjo gjuhë i takon të kaluarës dhe kjo gjuhë i shkaktoi tragjeditë, plagët e të cilave ende i vuajnë popujt e Ballkanit”, është shprehur Haradinaj.

Hidromorava

Haradinaj ka shtuar se Serbia duhet të ndal kërcënimet dhe të mos harrojë se ka një marrëveshje me Kosovën, planin franko-gjerman.

“Vendet e lira, në vendimet e tyre të bazuara në interesin e tyre nacional, e kanë njohur Kosovën. Serbia duhet ta ndal gjuhën e të fuqishmit, të ndal kërcënimet dhe mos të harrojë se e ka një marrëveshje me Kosovën, planin franko-gjerman të përkrahur nga Amerika, dhe t’i kthehet gjuhës së arsyes”.

“Kosova nuk do të ndalet nga rruga e vet drejt integrimeve euroatlantike. Do të ishte e mençur për Serbinë, që të lëviz nga “status quo” në të cilën gjendet”, ka përfunduar Haradinaj.