Haradinaj: S’do të ketë ndërprerje të rrymës, as rritje të çmimit
Kryeministri Ramush Haradinaj ka vizituar sot në mbrëmje Korporatën Energjetike të Kosovës. Pas takimit me udhëheqësit e kësaj korporate, Haradinaj ka siguruar se nuk do të krizë energjetike dhe se nuk do të ketë shtrenjtim të rrymës gjatë dimrit, raporton Ekonomia Online.
I shoqëruar nga drejtori e KEK-ut, Arben Gjukaj, Haradinaj ka treguar cili ishte qëllimi i kësaj vizite në vigjilje të Krishtlindjeve.Ai tha se ua bëri të qartë dhe drejtuesve të KEK-ut.
“Nuk duhet të ketë ndërprerje të energjisë elektrike dhe as rritje të çmimit, dimrit”, theksoi kreu i Ekzekutivit.
Haradinaj foli dhe për procesin e zhvendosjes së banorëve të Hdes dhe Shipitullës.
Ai tha se KEK-u është treguar shumë gjeneroz dhe iu ka ofruar të gjitha mundësitë banorëve, përfshirë strehimin 6-mujor, shujta dhe pagesën për shpronësim, sipas marrëveshjes së arritur para 3 muajsh.
Ndërsa, drejtori Arben Gjukaj tregoi se KEK-u është “në fazën e fundit” të bisedimeve me banorët e fshatit Hade për të bërë zhvendosjen e tyre dhe për të filluar mihjen e thëngjillit, në mënyrë që vendi të mos hyjë në ndonjë fazë të katastrofës energjetike.


