Haradinaj: Qeveria Kurti e ndihmuar nga Lista Serbe po nxitohet ta votojë buxhetin pa e marrë në konsideratë Ligjin e Pagave

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se Qeveria e Kosovës është duke nxituar ta miratojë buxhetin me ndihmën e Listës Serbe, pa e marrë parasysh edhe Projektligjin e Pagave.

Haradinaj tha se Qeveria Kurti e ka ndryshuar edhe rendin e ditës, me ndihmën e Listës Serbe.

“Sot ishim dëshmitarë që Qeveria Kurti në aleancë me Listën Serbe ndryshoi rendin e ditës, e vendosi në seancë të jashtëzakonshme në lexim të dytë buxhetin dhe nënkuptohet edhe votimin e amandamenteteve. Ajo që është shqetësuese është që Qeveria Kurti e ndihmuar nga Lista Serbe po nxitohet të miratojë buxhetin pa e marrë në konsideratë buxhetimin e Ligjit të Pagave”, theksoi Haradinaj.

Po ashtu, Haradinaj foli edhe në lidhje me pagesën e kostos së importit të energjisë elektrike.

“I bëj apel Kurtit që ta fillojë ditën e punës çdo ditë në KEK së bashku me ministren dhe të paguajë koston e importit nga buxheti i këtij viti mos ta bartë në vitin tjetër sepse ashtu krijon pengesa të mëdha për buxhetim të projekteve te tjera”, ka thënë ai në një konferencë për media.

Po ashtu, ai tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti duhet t’i drejtohet Presidentit të SHBA-së me kërkesë për marrëveshje finale.

“I bëj thirrje Kurtit mos e fshih sepse po hetohet që është një koalicion me Listën Serbe, të mos frikësohet nga koalicioni me këtë Listë, por t’i del përballë çështjes së marrëveshjes finale Kosovë-Serbi, t’i drejtohet presidentit të Amerikës me kërkesë për marrëveshjen finale”, ka shtuar Haradinaj. /Telegrafi/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS