Haradinaj: Qeveria Kurti e ka krijuar terrenin për veprimet anti-Kosovë të Serbisë
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar pasi presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka paraqitur disa kërkesa për Kosovën.
Kreu i AAK-së, në reagimin e tij ka shkruar se Vuçiqi është përgjegjësi kryesor për gjendjen në veri, transmeton Telegrafi.
“Për situatën e rënduar në veri të Kosovës, përgjegjësi kryesor është presidenti serb. Ai ka sabotuar çdo nismë për vendosjen e normalitetit dhe integrimin e serbëve në institucionet e Kosovës. Ai e ka minuar procesin e dialogut për njohje. Ai i ka urdhëruar serbët lokal të braktisin jetën institucionale. Ai i ka urdhëruar ata t’i braktisin zgjedhjet”, thotë ai.
Haradinaj tutje ka pohuar se Vuçiqi ka mbështetur grupet kriminale dhe i ndikuar edhe nga Rusia, ka hartuar skenar për destabilizimin e Kosovës.
“Prandaj kërkesat e tij sot, janë veç vazhdimësi e luftës së tij kundër Kosovës”.
Në reagimin e tij, Haradinaj ka kritikuar edhe Qeverinë Kurti, duke shkruar se terrenin për këto veprime të Vuçiqit, e ka krijuar pushteti aktual.
“E dhimbshme, por fatkeqësisht terrenin për këto veprime anti-Kosovë të Serbisë, të mbështetura edhe nga disa qarqe ndërkombëtare, e ka krijuar politika shkurtpamëse e qeverisë Kurti. Ajo ka bërë që politika fashiste e Serbisë ndaj Kosovës, të mos duket edhe aq e keqe”, theksoi ai.
Haradinaj ka shtuar se me Serbinë ka veç një zgjidhje, njohja e ndërsjellë në kufijtë ekzistues. /Telegrafi/