Fundamenti

Haradinaj po nis reformë spastrimi në AAK

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Njohësit e rrethanave politike e kanë vlerësuar në mënyrë pozitive deklaratën e liderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinajt, i cili të shtunën deklaroi se ka bërë gabime në politikë.

“Aleanca nuk do të jetë më e njëjtë, duke më përfshirë edhe mua. Kam bërë gabime në politikë. Por, do të reformohemi dhe do të ndryshojmë. Fuqishëm dhe pandalshëm”, ka thënë Haradinaj, duke bërë me dije se në Aleancë nuk ka vend për asnjë shkelës të ligjit. “Aleanca ka vendosur ta pastrojë oborrin e vet. Aleanca e shpall të përjashtuar qysh sot këdo që ka keqpërdorur detyrën zyrtare apo buxhetin qoftë në nivel komunal, qoftë në nivele të tjera. Për Aleancën, kushdo jashtë strukturës apo brenda strukturës së Aleancës, që mënyrë të jetës e ka haraçin dhe fajdet, është kriminel dhe duhet të shkojë në burg. Largoni këmbët e duart larg nga zyrat e strukturat e Aleancës. Nuk na duhet vota juaj, nuk na duhet vota e kriminelëve!”, ka thënë i pari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Analisti politik Halil Matoshi ka thënë se është hera e parë që në Kosovë dëgjohen deklarata të tilla nga një lider politik. “Për herë të parë publiku dëgjon një lider partiak të pasluftës në Kosovë tek flet për përgjegjësitë vetjake dhe të aktivistëve politikë të partisë, si dhe për gabimet politike të lidershipit dhe ky është Ramush Haradinaj”, ka thënë Matoshi për “Epokën e re”.

Ai ka vlerësuar se me këtë deklaratë Haradinaj ka paralajmëruar se në AAK po nis një reformë pastrimi. “Me një fjalë, disa nga njerëzit e fuqishëm të kësaj partie ishin shndërruar në bashkëpunëtorë të krimit të organizuar, përkatësisht në kapo-banda! Por ende askush brenda strukturave të kësaj partie nuk e ka thënë hapur këtë. Haradinaj është lideri i parë politik që jo vetëm e pranon se brenda strukturave të AAK-së ka fenomene të tilla degraduese që bien ndesh me ligjin dhe etikën e pushtetit, por ai tërhoqi vëmendjen e publikut kur e dha fjalën se ata njerëz nuk do të kenë vend në këtë parti, me çka bëri të ditur se një reformë spastrimi po nis në AAK”, është shprehur Matoshi.

Mobi Casa

Në këtë kontekst, ai ka deklaruar se kreu i AAK-së duhet të vazhdojë t’i përmendë emrat konkretë dhe t’i denoncoj ata edhe në prokurori. Sipas tij, vetëm në këtë mënyrë do ta bindë opinionin se e ka seriozisht. “Haradinaj duhet të flasë hapur dhe me emra konkretë, madje duhet ta vizitojë edhe prokurorinë e shtetit. Vetëm atëherë do të na bind se e e ka vërtet seriozisht dhe se është një lider i sinqertë. Nëse e bën këtë, nëse denoncon tek organet e sundimit të ligjit, qoftë vetëm një njeri nga partia e tij, i cili ka rënë ndesh me ligjin, bravo i qoftë! Nëse tri akte të tilla, atëherë tri herë bravo. Por, duke pasur parasysh modelet e pushtetit në Kosovë, dyshoj se ai do ta bëjë këtë”, ka deklaruar Matoshi, duke shtuar se çdo parti që jep shembuj pozitivë, duke marrë përgjegjësi deri në dorëheqje, mund ta përmirësojë imazhin e vet.

Në anën tjetër edhe analisti politik Nexhmedin Spahiu ka deklaruar se me këto veprime Haradinaj po tregohet praktik, duke kërkuar të ndryshojë diçka për të sjellë rezultate më të mira. “Haradinaj është njeri praktik. Ai e ka parë se politikat që i kanë ndjekur deri tani nuk kanë sjellë rezultate. Meqenëse kjo nuk ka ndodhur, atëherë duhet të ndryshohet diçka. Por, sa ka me qenë në gjendje të ndryshojë mbetet për t’u parë”, ka deklaruar për “Epokën e re” Spahiu. Ai ka treguar se me këtë strategji kreu i AAK-së po tenton ta marrë elektoratin e LDK-së që është kundër koalicionit me PDK-në. Sipas tij, koalicioni i LDK-së me PDK-në do të sjellë një fluks të madh të anëtarësisë së LDK-së. “Nëse LDK-ja nuk arrin ta largojë nga kreu i partisë Isa Mustafën, anëtarësia e LDK-së ka për të shkuar kah opozita: Vetëvendosje, AAK apo Nisma. Sigurisht se Haradinaj, Kurti dhe të tjerët mendojnë se LDK-ja nuk do të ketë forcë ta largojë Mustafën nga lidershipi i partisë dhe parashikojnë se do të ketë rrjedhje të elektoratit të saj. Ajo çfarë ka folur Haradinaj për reformën në AAK dhe përmirësimin e gabimeve e ka këtë kuptim. Pra, dëshiron ta marrë elektoratin e pakënaqur të LDK-së”, është shprehur Spahiu.

Duke mos dashur ta parashikojë rezultatin e kësaj strategjie, ai ka vlerësuar se e gjithë kjo do të varet nga rrjedhat politike brenda LDK-së. “Në rast se gjenden forca të brendshme në LDK që e rrëzojnë Isa Mustafën, atëherë elektorati i LDK-së do të ruhet dhe do të shtohet. Kështu që, gjahu i Haradinajt për ta marrë elektoratin e LDK-së do të jetë i kotë. Por, në rast se Isa Mustafa mbetet në krye të LDK-së, atëherë sigurisht që një pjesë të elektoratit do t’ia marrë opozita, qoftë Haradinaj, qoftë Kurti”, ka deklaruar Spahiu.