Haradinaj: Plani i Thaçit për kufijtë është tragjedi për Kosovën

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka ripërsëritur qëndrimin e tij kundër planit të presidentit të vendit, Hashim Thaçi, për “korrigjim kufijsh” mes Kosovës dhe Serbisë. Haradinaj ka thënë se një ndryshim kufijsh do të përbënte “ndarje të Kosovës”.
E kjo, ka thënë shefi i ekzekutivit në RTV Dukagjini, do të ishte një “tragjedi”.
Haradinaj ka theksuar se kufijtë aktualë të vendit “i ka vendosur lufta”.
Megjithatë, Haradinaj është shprehur pro vazhdimit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare paqeje.
Deklaratat e Haradinajt vijnë një ditë pasi Thaçi sulmoi Haradinajn me largim nga posti i tij, për qëndrimin e tij kundër planit të presidentit. /Express/
Haradinaj i përgjigjet Thaçit: Ta jap karrigen time, çoje në shtëpi
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i është kundërpërgjigjur presidentit të vendit, Hashim Thaçi, pas kërcënimit të tij se shefi i ekzekutivit mund të largohet nga posti i tij, për shkak të qëndrimit të tij kundër planit të kreut të shtetit për “korrigjim kufijsh” mes Kosovës e Serbisë.
Thaçi ka thënë, në një konferencë, një ditë më parë, se “kryeministri ka nevojë t’i korrigjojë deklaratat dhe qëndrimet e tij rreth dialogun, pa dialog nuk ka të ardhme atlantike për Kosovën.
“Tek e fundit”, ka thënë Thaçi, “pozitat tona nuk janë të përhershme, kryeministrat dhe presidentet mund të ndërrohen, shkojnë e vijnë, gjithsesi mund të ndërrohen ata që nuk korrigjohen”.
Haradinaj, gjatë një paraqitjeje në RTV Dukagjini, ka thënë se Thaçi “nuk e ka gjetur njeriun për të folur me këtë gjuhë”.
“Sa i përket karrigeve, kush të ka qejf ia jap timen me vete. Nëse do le ta çojë në shtëpi, apo ku të dojë”, ka deklaruar ai.
“Unë njëherë e kam marrë me vete në Hagë, e di si është ta lëshoj karrigen”, ka thënë Haradinaj.
“Jam mësuar t’i lëshoj, se kam asnjë problem. Kur e kam lëshuar më herët, kam shkuar në burg. Tash jam këtu, kah Kosova”, është shprehur shefi i ekzekutivit. /Express