Haradinaj: Ose kryeministër, ose në opozitë
Prishtinë – Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj tha sot se oferta e tij për bashkëqeverisje me PDK-në është që ai të ketë postin e kryeministrit. Pak ditë pas kthimit nga Gjykata Ndërkombëtare për krime lufte, e cila e shpalli atë të pafajshëm, Haradinaj në intervistë për Zërin e Amerikës foli për zhvillimet në Kosovë, përfshirë edhe mbështetjen e tij për procesin e bisedimeve me Serbinë.
I pyetur se si do të përfundojë çështja e veriut të vendit, ai tha: “Po, është një fat i madh që është menduar për këtë temë edhe para pavarësisë së Kosovës, ashtu si është menduar për serbët edhe në pjesët tjera të vendit. Kuptohet se në etapën e parë mundësitë dhe të gjitha ato hapësira që janë dhënë për qeverisje për qytetarët serbë, janë shfrytëzuar nga pjesa qendrore e si themi ne, qytetarëve serbë të Kosovës. Tani ka ardhur koha besoj që edhe qytetarët e veriut t’i shfrytëzojnë këto mundësi, të cilat do të ndihmojnë jetën e tyre dhe do të bëjnë një jetë më të mirë sesa është sot. Pra do të ndodhë një zbatim i përgjegjësive, ose i mundësive, i privilegjeve që janë paraparë për serbët çdo kund në Kosovë edhe në veri”.
Ndërkaq, në pyetjen se si e shpjegon afrinë me PDK-në dhe me pritjen e një afrimi edhe më të madh me kryeministrin Thaçi, Ramush Haradinaj tha: “Ne vazhdojmë me dhanë përkrahje dhe ekspertizën që kemi për bisedat me Serbinë. Jemi të kënaqur që zoti (Blerim) Shala i ka pranuar përgjegjësitë dhe na ka ardhur mirë për nominimin e tij nga presidentja e vendit dhe vazhdojmë në këtë proces. Po ashtu, ne preokupohemi edhe për zhvillimet e përditshme të jetës sonë në vend, kualitetin e qeverisjes, kualitetin e demokracisë sonë, të sektorëve veç e veç, të rendit e ligjit e shumë temave të tjera në vend, për standardin ekonomik. Ne ofrojmë me marrë përgjegjësitë për të qeverisë me vendin, përfshirë edhe vetveten për përgjegjësinë e parë në qeverisje. Është një projekt ideor. Ende nuk ka ndodhë konkretizim apo ulje për ta shqyrtuar këtë projekt, por do të ndihmojmë që të ndodhe dhe shpresojmë që të ndodhë”, tha Haradinaj dhe shtoi se kryeministër i vendit synon të bëhet që tash. “Arsyeja është se deri në zgjedhje do të mund të bëhej shumë punë, me ndihmue që trendët prej tash deri në zgjedhje të jenë të mira. Me e përmirësue kualitetin e qeverisjes në përgjithësi, por edhe për të ndihmuar për një proces zgjedhor më kualitativ kur ndodhë, meqë kemi pasur defekte në procesin e shkuar zgjedhor. Pra është një investim që bëhet tash që do të pasojë me zgjedhje dhe pas zgjedhjeve”.
Në insistimin që të jetë më konkret, përkatësisht që a mendon se Thaçi është i gatshëm t’ia lirojë postin e kryeministrit të vendit, kreu i AAK-së tha: “Nuk mund ta konfirmoj meqenëse nuk e kemi diskutuar dhe shtjelluar deri në fund. I mbetet së ardhmes me u pa. Por, ne rast se do të ndodhte, atëherë ajo që është me rëndësi, do të krijohej një situatë e re dhe një nisje e re edhe për Kosovën besoj e mirë”. …Mund të ndodhë që në ditët në dhe javët që vijnë të trajtohet projekti ideor i AAK-së”.
Ai përsëriti se partia e tij momentalisht e ka vetëm këtë ofertë. “Ndoshta përgjigja më e kujdesshme është, ne kemi këtë ofertë, nuk kemi ofertë tjetër. Kjo është oferta që ofrojmë. Dhe kushti i vetëm është me na u kriju hapësira me punue. E kam përsëritur se në një gjendje çfarë jemi, që është e vështirë dhe e ndjeshme, unë po ofroj zgjidhjen më të kujdesshme dhe të saktë për të ndihmuar vendin nga dita e parë e mundësisë më fillue me punue dhe kuptohet me vazhdue një trend pozitiv për vendin. E kemi vetëm këtë ofertë sepse është kohë e shkurtër deri në zgjedhje”.
Në variantet tjera, ndërkaq, shoti ai, ne nuk do të mund të ndryshonim gjendjen aktuale ose, me krijue atë “momentumin” ose ditën “D”, ditën e nisjes për një kualitet tjetër. “Atëherë do të prisnim zgjedhjet si një parti politike opozitare, do të ushtronim funksionet tona me kujdes, me përgjegjësi për vendin deri në zgjedhje. Dhe në zgjedhje do të vlerësonim rrugën tonë më tej dje mënyrën se si me qeverisë me vendin”.