‘Haradinaj nuk i frikësohet opozitës’
Qeveria Haradinaj nuk është se e nisi mbarë funksionimin e saj, kjo duke u bazuar në atë se opozita po ‘kërcënon’ se qeveria e re nuk do të ketë jetë të gjatë pasi medoemos do e rrëzojnë shumë shpejt me mocion.
Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Vetëvendosje tani më kanë edhe një deputet të koalicioni PANA në favor të rrëzimit të qeverisë së udhëhequr nga Ramush Haradinaj.
Deputeti i ‘rebeluar’ i PANA-së, Zafir Berisha para dy ditë deklaroi se nëse LDK dhe VV i bëjnë 60 vota, ai do ta jap votën e 61-të për rrëzimin e Qeverisë.
Lajmi.net ka kontaktuar me drejtorin e Zyrës për Komunikim në Qeverinë Haradinaj, Halil Matoshin i cili tha se nuk i frikësohen mocionit të mosbesimit të qeverisë.
“Çështja e mocioneve është e drejtë kushtetuese dhe demokratike e Opozitës. Qeveria Haradinaj ska pse t’u frikësohet mocioneve, sepse frika nuk është në logjikën dhe sensin politik të kësaj qeverie”, ka thënë ai.
Kujtojmë, se Qeveria Haradinaj u votua nga 61 deputetë, ndërsa Zafir Berisha abstenoi andaj edhe tani po e shpreh pakënaqësinë e tij duke e mbështetur opozitën për mocion./Lajm.net/

