Haradinaj: Në programin tonë përfshihen 1 miliard euro për rimëkëmbje

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe kandidati për president të vendit, ka thënë se programi i kësaj partie parasheh një fond prej 1- miliard euro për rimëkëmbje ekonomike.

Ai ka thënë se zgjedhjet e 14 shkurit janë ndryshe nga të tjerat për shkak të zhvillimeve që kanë ndodhur, por edhe për faktin se nga këto zgjedhjeve përveç, Qeverisë, Kuvendit, do të ketë edhe President të ri.Postimi i plotë i tij.E vërtetë është se Kosova është ndryshe, e vërtetë është se 14 shkurti do të jetë ndryshe nga zgjedhjet e tjera, për shkak të zhvillimeve që kanë ndodhur në vend.Ne kishim ëndërr lirinë e Kosovës. As sot, pas dy dekadash në liri, dashuria jonë për Kosovën nuk është zbehur aspak. Solidarizohemi me bashkëluftëtarët që sot janë në Hagë dhe iu themi bashkëluftëtarëve kudo që janë, se qëndrojmë të fortë. Jemi këtu për ta, jemi këtu me ta.Të gjitha partitë i kanë sfidat e veta. Ne iu themi qytetarëve të vendit, që Aleanca është adresë, jo vetëm e qëndrueshme dhe e fortë, por jemi adresë që në procese të rëndësishme jemi vendimtarë. Roli ynë është vendimtar për cilësinë e reformave, fuqinë e Kosovës dhe të institucioneve.

Programi ynë është i punuar me kujdes, ku në plan të parë është ekonomia e vendit. Aty përfshihet fondi 1-miliardësh për rimëkëmbje, i cili jo vetëm që e ndal rënien ekonomike, por me të vërtetë e bën ndryshimin, për shumë qytetarë të Kosovës të cilët i ka prekur pandemia dhe rënia ekonomike. Me këtë fond, askush nuk do të mbetet i papërfshirë. Ne kemi kërkuar që fondet e Autostradës së Dukagjinit të ridestinohen në urgjencën ekonomike, te qytetarët dhe sipërmarrësit, të paktën edhe këtë vit.Në këto zgjedhje, ne nuk zgjedhim vetëm Kuvendin, qeverinë dhe programin qeverisës. Në këto zgjedhje, ne zgjedhim edhe Presidentin e vendit dhe programin e tij. Kjo është një risi, që Aleanca e ofroi me kohë për vendin. Në fillim nuk u kuptuam. Sot kemi edhe kandidatë tjerë, kemi zonjën Vjosa Osmani nga Vetëvendosje, të cilën e kam ftuar në debat televiziv, që t’iu tregojmë qytetarëve se si do ta forcojmë Kosovën në planin e brendshëm dhe të jashtëm, si do të përballemi me të gjitha ato tema që i kemi përpara, por edhe si do ta anëtarësojmë Kosovën ne NATO. E kush e di më mirë rrugën drejt NATO-s? Kush do ta ruajë më mirë besimin e brezave që sakrifikuan për Kosovën e 17 shkurtit? Ju siguroj që ndoshta në Serbi do të gëzohen nëse nuk do të jem president. Por e kanë gabim, sepse Kosova qëndron në të drejtën e vet, pa i dëmtuar të tjerët. Zgjidhja është respekti i ndërsjellë, e jo qasja që po ndodh tash, kur kemi qeveri dhe presidente në detyrë.

Ne kemi ditur të punojmë me të gjithë udhëheqësit botëror, e të ngrisim çështjen e Kosovës në nivelin më të lartë të vendimmarrësve më të mëdhenj të botës, por jo duke u nënshtruar, sepse Kosova nuk ka nevojë të nënshtrohet para askujt.

Sot para Këshillit Drejtues, paraqita për miratim listën e kandidatëve për zgjedhjet e 14 shkurtit.Sa i përket listës së kandidatëve, Aleanca i jep Kosovës garancën, me njerëzit më të mirë që i ka vendi, në një proces që po vjen, të qeverisjes, të reformave, të ecjes para të vendit, por edhe të ruajtjes së ekuilibrit politik e institucional. Aty përfshihen njerëz me përvojë politike dhe që kanë pasur përgjegjësi institucionale, intelektualë e ekspertë të respektuar në fushat e tyre por edhe njerëz që për herë të parë që garojnë në zgjedhje. Lista përmban doktorë shkencash, mjekë specialistë, profesorë universitarë, juristë, ekonomistë, politologë, inxhinierë, sociologë, arkitektë, veteranë të luftës dhe njerëz me bagazh të madh kombëtar.I falenderoj nga zemra për angazhimin, të gjitha strukturat nga nëndegët e deri te Këshilli Drejtues dhe shpreh mirë se ardhje për kandidatët e rinj të listës.

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS