Haradinaj: NATO nuk vendos kufi

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se po hetohet një rritje e propagandës për përkrahje të versionit të gabuar të demarkacionit. Qeveria, sipas tij, po deklarohet sikur kjo çështje është e përfunduar.
Megjithatë, ai ka thënë se kjo çështje nuk ka përfunduar, madje Haradinaj ka paralajmëruar edhe protesta nëse pretendohet të ratifikohet marrëveshja e 26 gushtit 2015.
Këto deklarata i pari i AAK-së i ka dhënë në një konferencë për medie, ku ka prezantuar edhe disa aderime të reja në degën e kësaj partie në Fushë Kosovë, shkruan sot gazeta “Zëri”.
“Dje e lansuan një lajm që thuajse NATO-ja ka përmbyllur çështjen e kufirit Kosovë-Mali i Zi. NATO-ja nuk vendos kufi, nuk ka vendosur kurrë NATO-ja kufi. NATO-ja bën marrëdhënie me shtetin në bazë të kufijve që ata i kanë vendosur në vendet e caktuara. Pra, interesimi i kryeministrit dhe të tjerëve për të bindur Kosovën se çdo gjë është e kotë, qoftë debati që është paralajmëruar më 3 gusht, qoftë diskutimet që ndodhin në publik”, është shprehur Haradinaj.
Ai më tej ka thënë se e mirëpret debatin e 3 gushtit, ndërsa ka thënë se veprimet e Qeverisë dëshmojnë se koalicioni qeverisës është në panik. Kreu i AAK-së më tej ka thënë se është i lumtur që disa deputetë të koalicionit qeverisës e kanë kuptuar se marrëveshja e 26 gushtit është e dëmshme.
“Unë jam i gëzuar që plot deputetë edhe nga partitë në pozitë kanë qëndrim të drejtë, tani e kanë vërtetuar që nga deputetët në pushtet se kufiri ka ardhur disa kilometra në brendësi të Kosovës. Jam i habitur pse shefat e partive dhe kryeministri Mustafa po vonohen të ndërrojnë qëndrim. Debati është i mirë sepse do të vërtetohet ajo që ne e dimë dhe që Kosova po e di, gjendja faktike se Kosova ka humbur territor ose kufiri ka hyrë në brendi të Kosovës”, ka shtuar Hardinaj duke thënë se nëse tentohet të kalohet ky version i demarkacionit, do të organizohen protesta dhe mënyrë tjera të kundërshtimit.
Në këtë konferencë kryetari i AAK-së ka prezantuar disa aderime të reja, në mesin e të cilëve edhe veteranin e UÇK-së, Ahmet Grajqevcin, i cili do të jetë koordinator i Degës së AAK-së deri në zgjedhjet e reja partiake, për shkak se kryetari i kësaj Dege, Hasan Krasniqi, ka probleme shëndetësore.
Grajqevci ka thënë se arsyeja që i është bashkuar Aleancës është programi i saj, të cilin, sipas tij, asnjë parti tjetër nuk e ka. /ZËRI/