RCCOLA

Haradinaj: LDK po i jep kohë Thaçit për fushatë

/ 14 minuta lexim
RCCOLA

Qeveria duhet të rrëzohet me mocion e jo të shpërbëhet Parlamenti. LDK po gabon pse s’po e mbështet nismën e opozitës për rrëzimin e Qeverisë por po e përkrahë shpërbërjen e Kuvendit. Po të vendosnim për mocion në muajin shkurt nuk do të ndodhte gjithë kjo fushatë e Kryeministrit. Nuk e di nëse Hashim Thaçi është i korruptuar, por Qeveria është e zhytur thellësisht në korrupsion. Në Kosovë s’do të ketë kurrfarë Tribunali por do të ketë një Dhomë e Posaçme në kuadër të sistemit tonë gjyqësor. Kushdo që ka keqpërdorur pozitën qoftë komandant apo komunist duhet të shkojë në shtëpi. Kryetari i AAK’së, Ramush Haradinaj, flet, për Express.

Express: Cili është parashikimi juaj sa i përket datës së zgjedhjeve nacionale?

R. Haradinaj: Tani varet nga qëndrimi i opozitës. Opozita e ka në dorë të vendos për datën e zgjedhjeve. Në rast se e vlerësojnë se duhet të shkohet menjëherë në zgjedhje, atëherë opsioni real është mocioni për shkarkim i Qeverisë. Kuptohet, në rast se opozita e merr një vendim si opozitë. Por, nëse bazohet në versionin e z. Thaçi, atëherë kjo është e paqartë.

Express: Pra, gjasat janë që zgjedhjet të mos mbahen në qershor duke pasur parasysh dinamikën e përgatitjeve?

R. Haradinaj: Është e paqartë se kur do të mbahen zgjedhjet. Nëse bazohesh në versionin e Qeverisë dhe pushtetit atëherë do të varet nga vullneti i mirë i tyre.

Express: Po përmendet edhe shtatori si datë e mundshme për zgjedhjet nacionale?

R. Haradinaj: Një është se çka mund të ndodhë me veprimet e opozitës dhe çka mund të ndodh me veprimet e një pjesë të opozitës me PDK’në. Në rast se LDK dëshiron të vazhdojë marrëveshjen me PDK’në që të shpërbëhet Parlamenti, atëherë, këtu ka paqartësi të mëdha për datën e zgjedhjeve.

Express: Por, udhëheqja e LDK’së po thotë se qershori është afati i fundit kur duhet të mbahen zgjedhjet nacionale?

R. Haradinaj: Qëndrimet tona kanë një qartësi. Ne kemi dhënë një opsion shumë të qartë. Opozita dhe Parlamenti e ka për obligim të reflektojnë për humbjen e shumicës në Parlament nga Qeveria. Mocioni për shkarkim është real dhe në shërbim për opozitën. Ndërsa, qasja që ka LDK me PDK’në nuk mendoj se është e dobishme për opozitën. Është një veprim i gabuar sa i përket koncepteve opozitare.

Express: Kur Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi arritën marrëveshje për koordinimin e disa hapave për të shkuar në zgjedhje ju u anashkaluat?

R. Haradinaj: E vërteta është ndryshe. Unë s’jam anashkaluar, por unë kam pasur propozimin tim. Shpërbërja e Parlamentit është propozim i z. Thaçi. Kuptohet se nuk kam çka lypi në biseda të tilla. Unë kam propozimin tim që është shkarkimi i Qeverisë. Unë jam vet-përjashtuar nga cilado bisedë mes tyre për shpërbërjen e Parlamentit.

Express: Ju nuk do ta votoni shpërbërjen e Parlamentit nëse vihet si propozim?

R. Haradinaj: Ka diçka tjetër. Unë e favorizoj dhe i jap prioritet mocionit. Kjo për shkak se mocioni është opsion dhe version i opozitës për të shkuar në zgjedhje. Unë luftoj për mocionin. Në rast se e shohim se mosvotimi i shpërbërjes së Parlamentit ia zgjat jetën kësaj Qeverie, atëherë, do të jemi të obliguar të votojmë shpërbërjen e Kuvendit. Por, ne mendojmë se ky është version i gabueshëm për opozitën. Pra, opozita nuk duhet të shkojë me versionin e shpërbërjes së Parlamentit, por duhet të shfrytëzojë mocionin. Mocioni është i opozitës. Është i iniciuar nga Aleanca por është i opozitës, në emër të opozitës dhe për opozitën. Pra, pozicioni im dhe i yni është në shërbim ndaj opozitës dhe ndaj parlamentarizimit për të reflektuar ndaj një gjendje reale që po ndodh në Parlamentin e vendit. Kuptohet me motive shtesë për të larguar ketë keqqeverisje.

Express: A e keni një analizë se pse LDK dhe Vetëvendosje s’po e përkrahin mocionin e juaj për rrëzimin e Qeverisë?

R. Haradinaj: Është situatë që dallon. LDK, kuptohet synon ta konsumoj Marrëveshjen që e ka bërë me Thaçin. Konsumimin në kuptimin që me avancu ose me përmbyll atë që është iniciuar. Ndërsa, Vetëvendosje e ka pasur një kërkesë të qartë, që në kuadër të vendimit për shkarkimin e Qeverisë, të hyjë edhe anulimi i dialogut. Sa i përket LDK’së, ata janë duke gabuar që po e ndjekin rrugën e shpërbërjes së Parlamentit sepse janë duke humbur kohë të cilën po e shfrytëzon z. Thaçi për fushatën e tij dhe për përmirësimin e pozicionit të tij, i cili është pozicion i dëmtuar dhe jo të mirë. Për Vetëvendosjen e kam dhënë një propozim që ata ta kenë si mendim të ndarë se dialogu është i dëmshëm, por të votojnë mocionin. Ajo që për mua është interesant është se ne kemi humbur kohë si opozitë. Po të vendosshim për mocion në muajin shkurt nuk do të ndodhte gjithë kjo fushatë e z. Thaçi. Megjithëkëtë, njerëzit e kuptojnë se vazhdimi i kësaj qeverisje nuk është fitore për ta pa marrë parasysh se çka kanë nxjerrë prej kësaj Qeverie në ditët e fundit para zgjedhjeve. Prapë njerëzit e dinë se nëse vazhdojnë të qeverisen prej kësaj Qeverie nuk është ndonjë fitore, por do t’iu sjellë humbje ashtu siç ka humbur Kosova në mënyra të ndryshme deri këtu. Shqetësimi im është mos shfrytëzimi i kohë sepse ne vetë ia kemi lënë këta dy muaj dhe është keq me i lënë kohë më shumë qe me shfrytëzu për fushatë për riparime që i bën në aspektin zgjedhor.

Express: Tashmë dihet se disa prej liderëve të partive politike e kanë deklaruar hapur se synojnë pozitën e Kryeministrit. Kënd e shihni Kryeministër të ardhshëm, Hashim Thaçin, Isa Mustafën, Albin Kurtin?

R. Haradinaj: E para që mendoj se çka nuk duhet të ndodh në Kosovë është se nuk duhet të vazhdoj logjika e tashme qeverisëse e përfaqësuar prej z. Thaçi për faktin se e ka sjell në pozitë të vështirë.

Express: Çka do të thotë për Kosovën edhe një mandat i tretë në krye të Qeverisë për Kryetarin e PDK’së?

R. Haradinaj: Është thellim i humbjeve, thellim i mossuksesit, konsumim i mëtejshëm i Kosovës, shpenzim i Kosovës dhe i çdo dimensioni të jetës tonë. Nuk besoj se dikush ia dëshiron këtë Kosovës.

Express: Njëherë keni qenë krejtësisht kundër një koalicioni me PDK’në. Kur jeni kthyer nga Haga keni thënë se po koalicionit me PDK’në pa Thaçin Kryeministër. Cili është pozicioni tash?

R. Haradinaj: Po komentoj në pyetjen e juaj. Kthimi nga Haga i kam dhënë një mundësi z. Thaçi që me dalë nga drejtimi i gabuar në mënyrë që me ia fitu Kosovës një kohë deri në zgjedhjet e ardhshme dhe mos me prit deri më tash. Oferta ime ka ndodhur në dhjetor të vitit 2012. Lufta është bërë për t’ia fituar Kosovës atë kohë prej 2012 deri më tash dhe mos me sjell Kosovën në një pozitë edhe më të keqe siç ka mbërritur dy viteve të fundit. Për keqardhje kjo nuk ka ndodhur sepse do të ishte në dobi të vendit, sakrificë për mua dhe për Aleancën që s’kemi pranuar të bëjmë koalicion me PDK’në dhe z. Thaçi në etapa të tjera. Por, duke parë se vendi po degradohet jemi ofruar për këtë. Meqenëse, kjo kohë ka humbur dhe dëmet janë rritur në Kosovë dhe janë thelluar nga qeverisja e z. Thaçi, atëherë, kuptohet se ai nuk meriton më mbijetesë. Por, ai meriton ndëshkim. E ndëshkimi më real do të ishte shkarkimi i kësaj Qeverie nga ana e këtij Parlamenti. Është një pozicion i qëndrueshëm politik, konsistent dhe i përgjegjshëm ndaj vendit në bazë të pozicionit të subjektit politike. Pra, pozicioni im i ardhshëm është se nuk ka asnjë logjikë dhe do të ishte tepër e dëmshme, dhe në rast se ka mundësi tjera, me ia vazhdu këtë logjikë qeverisëse. Dallon dhjetori i vitit 2012 kur kam ofruar opsionin dhe tash viti 2014. Bëhet fjalë për dy vite dëme që i ka shkaktuar më tutje Kosovës nga data kur unë i kam ofruar me ndalë dëmin deri më sot. Për këtë mendoj se kjo Qeveri e meriton mocionin për shkarkim sepse iu është dhënë mundësi për me dalë nga rruga e gabuar, por nuk e kanë shfrytëzuar.

Express: Cili është pozicioni i AAK’së sa i përket një koalicioni të mundshëm me PDK’në?

R. Haradinaj: Nuk bëjmë koalicion me PDK’në për shkak se do të ishte vetëm vazhdim qoftë edhe i pjesshëm i logjikave të sotshme qeverisëse. Nuk mendojmë se është në dobi për Kosovën me ba koalicion me PDK’në, me vazhdu praktika, logjika, qoftë edhe e pjesshme e kësaj qeverisje.

Mobi Casa

Express: Është shkruar nëpër media se Thaçi e Mustafa janë marrë vesh për një koalicion pas zgjedhjeve nacionale. Sa është i mundshëm të përsëritet një koalicion PDK-LDK?

R. Haradinaj: Është vështirë për mua me fol në këtë drejtim. Por, e thash më herët se nuk duhet të vazhdohet qeverisja e z. Thaçi. Por, nuk besoj se Kosova është një vend aq rutinë që logjika e ardhshme qeverisëse me qenë komode. Kosova është një vend me një situatë emergjente, më shumë probleme të akumuluara, me shumë sfida që ka para vetës. Kosovës i duhet një qeverisje dinamike, e qëndrueshme. Një qeverisje ku Kryetari i Qeverisë nuk korruptohet i pari.

Express: Është korruptuar z. Thaçi?

R. Haradinaj: Nuk e di, por është rritur perceptimi për korrupsionin në vend se të zvogëlohet. Sepse po thonë se korrupsioni është perceptim e unë mendoj se Qeveria në tërësi është jashtëzakonisht e korruptuar.

Express: Megjithëkëtë, Kryeministri përsëri ka ironizuar me nismën tuaj për rrëzimin e Qeverisë. Ai tha se iu kishte premtuar se do ta nënshkruante peticionit sikur ta kishit me vete në stadiumin e Mitrovicës?

R. Haradinaj: Ai ka ironizuar me gjendjen në vend. Me njerëzit e papunë, me njerëzit e varfër që jetojnë keq, me Kosovën që është shumë e parespektuar prej miqve, prej atyre që kanë bërë shumë për këtë vend. Është një sjellje e papjekur e tij. Pra, kjo tregon pak a shumë kualitetet e tij. Nuk është për ironizim gjendja në vend. Me siguri se me kalimin e kohës të gjithë do ta shohin se i janë bërë shumë dëme Kosovës nga kjo qeverisje.

Express: Po përmendet themelimi i një Tribunali për dënimin e krimeve të luftës. E dini se deri ku ka shkuar ky proces?

R. Haradinaj:Tëenjten e keni nxjerrë një lajm në Express ku thoni se Haradinaj pajtohet për Tribunalin. Këtu e kam një vërejtje profesionale sepse atë ditë pyetja më është bërë për Tribunalin dhe unë jam përgjigjur për Dhomën e Posaçme. Unë s’kam përmendurTribunal. Unë po flas për Dhomë të Posaçme dhe kjo ka dallim. Nuk besoj se ka Tribunal. Kam dëgjuar se do të themelohet një Dhomë e Posaçme në kuadër të sistemit tonë gjyqësor.

Express: Ku është Nënkryetari i Parë i AAK’së, Blerim Shala?

R. Haradinaj: Në zyrën përkrahë meje.

Express: Është edhe përkrah z. Thaçi?

R. Haradinaj: Është përkrahë dialogut dhe jo z. Thaçi.

Express: Është përkrah Kryeministrit në dialogun që po zhvillohet në Bruksel?

R. Haradinaj: Është përkrahë dialogut mes Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësim të bashkësisë ndërkombëtare, por jo përkrahë z. Thaçi. Është përkrahë Kosovës dhe temave të dialogut.

Express: Edhe shkuarja e Blerim Shalës në ekipin për dialogun e Kosovës është parë si afërsi e juaja me Qeverinë?

R. Haradinaj: Është shfrytëzuar kështu, por unë Nënkryetarin e Parë ia kam ofruar Veriut të Kosovës si temë që është preokupim i yni, të cilin nuk e kemi zgjedhur. Dialogun e kemi menduar dhe ende e mendojmë se e ndihmon integrimin e Veriut. Pra, me ofru një koleg për një temë që është kaq me peshë për jetën tonë siç është Veriu. Moszgjidhja e këtij problemi e pengon zhvillimin ekonomik të Kosovës. E pengon në aspektin institucional mos shtrirja e juridiksionit. E pengon Kosovën në rend dhe ligj. E pengon në politikën e jashtme. Shfrytëzohet prej skeptikëve të Kosovës gjendja atje. E kam ofruar Nënkryetarin e Parë të Partisë për këtë temë. Pra, me ndihmu përparimet që ndodhin në integrim të Veriut.

Express: Ish-Nënkryetari i AAK’së, Naim Maloku ka deklaruar para disa ditësh se z. Shala nuk po merret hiq me Aleancën por punon vetëm për mëditje?

R. Haradinaj: Këto janë mendime personale dhe s’mund t’i vlerësojë dhe komentoj. E vërteta është se z. Shala është çdo ditë në punë në Aleancë. Aleanca e ndjen plotë përgjegjësi, jo vetëm për tema zgjedhore, Aleanca shquhet se ka mbajtur përgjegjësi nacionale dhe është kujdesur në tema nacionale. Ne punojmë rreth çdo teme dhe çdo ligji që vjen në Parlament. Z. Shala edhe më herët nuk ka dalë shumë në terren me punu me votuesit, por megjithatë, ai është në punë me Aleancën dhe për Aleancën dhe për vendin realisht në tema të ndryshme. Ekspertiza e tij është prezente në shumë fusha që ne angazhohemi.

Express: E keni gjetur fajtorin se pse humbët komunat kryesore në zgjedhjet e fundit?

R. Haradinaj: Janë disa elemente që ka ndikuar te kjo. Kuptohet se një pjesë i atribuohet mungesës time për një kohë të gjatë. Mungesës së zhvillimit të mëtejmë të organizatës, të parimeve qeverisëse e dobësive nëpër komuna. Perceptimi i afërsisë me z. Thaçi prej ardhjes time, nga ndihmesa që i kemi dhënë dialogut deri te fushatat negative.

Express: Si e shihni komentoni deklaratën e ish-zyrtarit amerikan James Rubin, i cili ka bërë thirrje që krahu i luftës të largohet nga pushteti para se të jetë vonë?

R.Haradinaj: Unë e kam takuar atë zyrtar dhe shumë zyrtarë tjerë. Amerikanët i respektojnë njerëzit atdhetarë, luftëtarët e lirisë. Kuptohet ai është një mesazh me siguri për ata që meritojnë të shkojnë në shtëpi ose kanë abuzuar me çka do qoftë ose janë të dëmshëm. Kushdo që i takon një kategorie të tillë komandant apo jokomandant është mirë të shkojë në shtëpi. Komandantë apo komunistë, shoqëri civile ka plotë që duhet të shkojnë në shtëpi prej të gjitha kategorive.