RCCOLA

Haradinaj kundër shkarkimit të kryetarëve të komunave në veri: Albin, gjej një strategji të re

/ 3 minuta lexim
Eco Higjiena

Shkarkimi i katër kryetarëve të komunave në veriun e Kosovës po shihet si opsion nga Qeveria e Kosovës, për krijimin e kushteve për mbajtjen e zgjedhjeve të reja në këtë pjesë të vendit. Por, një gjë e tillë po kundërshtohet nga dy kryetarë të komunave atje, si dhe nga kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, para disa ditësh ka thënë se mënyra më e duhur për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat në veri është peticioni për shkarkimin e kryetarëve aktualë.

Kundër kësaj ideje janë deklaruar kryetarët e Zveçanit dhe Zubin Potokut. E, sot këtë ide të Kurtit e ka kundërshtuar edhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili i ka kërkuar Kurtit ta ndërprejë procedurën e rrëzimit të kryetarëve në komunat veriore me peticion.

“Vazhdo me një strategji të re, me dorëheqjen e kryetarëve. Ashtu do të binden edhe aleatët se je për zgjidhje, e jo për kriza të reja në veri të vendit”, ka shkruar Haradinaj në platformën X (ish Twitter), transmeton Telegrafi.

Ndryshe, Kurti ka thënë se vetëm kur 20 për qind e trupit elektoral shprehin vullnetin për t’ia ndërprerë mandatin kryetarëve aktualë jepen dëshmi se nuk mund të ketë bojkot të pjesëmarrjes në zgjedhje, qoftë si votim apo kandidim.

RCCOLA

Kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, ka thënë se është i gatshëm të bashkëpunojë për çfarëdo vendimi që e merr Qeveria e Kosovës, për ta shtensionuar situatën në veri të vendit.

Mirëpo, iniciativën për shkarkimin e kryetarëve të katër komunave veriore, Zeqiri e ka cilësuar si problematike, sepse sipas tij, këto iniciativa mund të shkaktojnë probleme në të ardhmen në të gjitha komunat.

Edhe kryetari i Komunës së Zveçanit, Ilir Peci, shprehet kundër nismës së Qeverisë së Kosovës për shkarkimin e kryetarëve të komunave përmes nismës së peticionit.

Ai ka thënë se preferon një marrëveshje ndrydhe, meqë nuk e sheh të arsyeshëm shkarkimin nga “dikush tjetër”.

“Kjo mënyra e peticionit mua nuk është aspak duke më pëlqyer, për shkak se pse me ia dhënë mundësinë dikujt tjetër të të shkarkojë ty, kur ne mundemi si kryetarë të komunave së bashku me kryeministrin të arrijmë një marrëveshje ndryshe për të mirën e qytetarëve… PDK-ja prej pasluftës vetëm njëherë i ka humbur zgjedhjet këtu në Komunën e Zveçanit, gjithmonë kemi qenë të parët dhe shpresoj përsëri do të jemi”, ka thënë Peci. /Telegrafi/