Haradinaj: Kryeministri është bërë i dëmshëm e zullumqar

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar pasi Gjykata e Drejtësisë së Bashkimit Evropian (GJED) ka anuluar vendimin e Komisionit për lejimin e pjesëmarrjes e Kosovës në Organin e Rregullatorëve Evropianë të Komunikimeve elektronike.

Haradinaj përmes një shënimi në Facebook ka thënë se pasojat e pozicionimit të papërgjegjshëm të Kryeministrit të Kosovës në raport me pothuaj të gjitha temat që kanë të bëjnë me vendin, po vijnë.

“Vendimet e tij në sferën e ekonomisë, të sigurisë, të arsimit, të dialogut, të marrëdhënieve me partnerët strategjikë, tashmë janë bërë barrë e rëndë për vendin e për popullin”.

“Në këtë rrafsh duhet parë edhe vendimin e fundit të Gjykatës së Drejtësisë të BE për përjashtimin e Kosovës nga Organizata e Rregullatorëve Evropianë të Telekomunikacionit”, ka shkruar Haradinaj.

I pari i AAK-së thotë se pasojë e pozicionimit të tij të gabueshëm të Kurtit është edhe rikthimi me urgjencë i temës së Asociacionit dhe avantazhi i Serbisë që sipas tij është krijuar në procesin e dialogut.

Haradinaj thotë se qasja e gabueshme e Kurtit ka bërë që Komuniteti Ndërkombëtar, më me simpati ta shohë Serbinë së sa Kosovën. Sipas tij “veç Albin Kurti ka arritur që xhelatin ta shndërrojë në viktimë”.

“Ai me para të taksapaguesve shkon në Forumin Ekonomik Botëror të Davosit, gjoja për të folur për investimet e huaja në Kosovë, madje organizon edhe një Samit të Investitorëve në Cyrih, ndërsa paratë e buxhetit i ka mbyllur në bunker dhe ekonominë e ka llom. Kjo më e pakta është hipokrizi. Ai jo vetëm që parat e buxhetit nuk i kthen tek qytetari, por atyre iu ka pamundësuar që në këtë kohë të rëndë ekonomike e sociale, ta marrin një pjesë nga paratë e kursyera të Trustit, që janë të tyre”.

“Kryeministri është shndërruar në zullumqar”, ka thënë tutje Haradinaj në reagimin e tij në Facebook./Telegrafi/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS